Kuvendi i Kosovës është konstituuar këtë të diel, pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve. Në seancën konstituive morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë dhe atij serb, ndërsa PDK-ja vendosi të mos marrë pjesë.
Vendimi për të vijuar procesin erdhi pas ndryshimit të qëndrimit të Vetëvendosjes, e cila njoftoi se do të votonte kandidatët e propozuar nga partitë parlamentare, me qëllim zhbllokimin e konstituimit.
Pak para nisjes së seancës, PDK-ja tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare dhe deklaroi se procesi, sipas saj, bie ndesh me normat kushtetuese e ligjore. Partia ka paralajmëruar dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të Procedurës Parlamentare Kryeministri ne Detyre Albin Kurti deklaroi se nëse PDK rikthehet ne Kuvend dhe propozon emrin e Vlora Citaktun, Lëvizja Vetëvendosje do te votoje kandidaturën e saj për nënkryetare.
Seanca nisi me votimin e kandidatit të LDK-së, Kujtim Shala, i cili u zgjodh nënkryetar me 75 vota pro.
Më pas u votuan kandidaturat e komuniteteve. Pas 8 propozimeve të rrëzuara të Listës Serbe, deputetja Tanja Vujoviç mori 62 vota dhe u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Edhe Emilia Rexhepi, si përfaqësuese e komuniteteve jo-shumicë, mori votat e nevojshme.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se e konsideron Kuvendin e Republikës së Kosovës të konstituuar.
Nga LDK-ja, Jehona Lushaku-Sadriu e cilësoi procesin si dëshmi, se vullneti politik mund t’i japë fund bllokadës institucionale. Ndërsa nga Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se vota për kandidaten e Listës Serbe ishte e nevojshme për të përfunduar konstituimin e Kuvendit.
Tashmë, PDK-ja dhe Aleanca pritet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtij procesi.

