Ulja e temperaturave ka vështirësuar jetesën e familjeve të prekura nga tërmeti që jetojnë në çadra. Gazetari i Abc News, Juxhin Mustafaraj sjell historinë e familjes Doçi në Fushë-Mamurras, ku 5 fëmijë të vegjël qendrojnë ditën në çadër dhe natën në kontenier. Gjyshi i fëmijëve bën apel që shteti të kthejë sytë nga fëmijët e vegjël, dy prej të cilëve janë jetimë.
Në këtë shtëpi mbi 50 vjeçare në Fushë-Mamurras jetonin deri në 26 nëntor 8 anëtarë të familjes Doçi, 5 prej të cilëve fëmijë. Përpara lëkundjeve të tërmetit, vdekja kishte goditur fort jetën e kryefamiljarit Asllan Doçi kur veç përgjegjësisë financiare iu shtua edhe një përgjegjësi më e madhe.
“Më vdiq gruaja, më pas më vdiq djali… i fali zoti dy fëmijë. E morëm nusen të re, pati probleme me nusen dhe djali u vetëflijua. Dy fëmijët e vegjël të moshës 2-3 vjeç mi la jetim. Cfarë ti bëj djalit, atë vendim mori”, shprehet ai.
Me djalin e tij të vetëm, Asllani jeton në këtë çadër ndërkohë që kushtet atmosferike dhe mungesa e energjisë elektrike i ka bërë akoma më të vështira ditët e tyre.
Pesha e rritjes së 5 fëmijëve ka rënë e gjitha mbi Irenën, nusen e re të familjes Doçi e cila është bërë nënë edhe për 2 të vegjlit e ngelur jetimë ndërkohë që vështirësitë thotë se janë të mëdha.
“Ajo që duam është një shtëpi, që të kenë fëmijët një vend ku të rrinë…se janë 5 fëmijë”, shprehet ajo.
Një organizatë rinore ka bërë të mundur që përmes donacioneve të sigurojë një kontenier për fëmijët, ndërkohë që apeli i Irenës është për një zgjidhje përfundimtare për të vegjlit.
Xhupat e fëmijëve të vegjël qëndrojnë të veshur nga mëngjesi në darkë, ndërkohë që shpresa e më të rriturve është që kur rindërtimi të nis ata të kenë një vend në krye të listës. /abcnews.al