KOSOVË- Lumir Abdixhiku, kreu i partisë historike të Ibrahim Rugovës, pranon hapur përçarjen në parti, ndërsa mbron marrëveshjen me Albin Kurtin.
Në një postim në rrjetet sociale ai paralajmëron se në zgjedhjet e tjera partia do të humbas mbështetje, por kjo sipas tij, jo për faj të lidershipit.
“Siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!”, shtoi ndër të tjera kreu i LDK, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku drejtoi gishtin ndaj një armiku të panjohur, duke thënë se ka agjenda që e kanë ndarë partinë.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Por prej muajsh, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, u shpreh ai.
Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin referues që rrëzoi qeverinë Hoti në 2020-tën, e quajti propozim të LDK që u pranua nga Kurti, ndërsa për vendin tani janë të pashmangshme edhe një palë votime.
“U refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka thënë ai.
6 deputetë të LDK, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala nuk pranuan ta votojnë Bekim Sejdiun si president.
Emrat e tyre renditen edhe si ndër më të votuarit në zgjedhjet e 7 qershorit, por për të ardhmen e tyre në parti, Abdixhiku tha se do të mendohet dhe se me bashkëpunëtorë të tillë nuk mundet më.
Statusi i plotë:
Mirëmëngjesi, Kosovë!
Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?
Çfarë paskan shpëtuar?
Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.
Dëm mund të bëjë çdo kush.
Për këtë, ja dora!
Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!
Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.
Për këtë ndiej vetëm keqardhje!
Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!
/abcnews.al/

