Bekim Sejdiu është emri që ka bashkuar edhe njëherë në historinë politike të bashkëpunimit me tyre, VV dhe LDK.
Ai u shpall kandidati i propozuar prej dy subjekteve politike për president.
Për konsensusin u desh mbajtja e 2 palë zgjedhjeve të parakohshme, miliona euro të çuara dëm dhe një imazh i cënuar i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Me Vjosa Osmanin në krahë, Lumir Abdixhiku, i cili nuk i braktisi deri në fund ftesat e Kurtit, deklaroi se karriera e ish gjyqtarit është një kartë besimi për ta.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme” tha Abdixhiku.
Ndërsa ish gjyqtari i zgjedhur si president, deklaroi se ndihej i nderuar për besimin.
“Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale. Sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si dhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës.” u shpreh Sejdiu.
Duket se dakordësia për emrin u bë mbrëmjen e të shtunës, ndërsa vendimi final për të u mor këtë të hënë.
Po kush është “i zgjedhuri’, që pritet të zëri zyrtarisht vendin e Vjosa Osmanit?
Bekim Sejdiu është jurist, diplomat dhe profesor universitar, i lindur më 1974, aktualisht profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ka qenë i angazhuar që nga viti 2002.
Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi, por edhe si konsull i përgjithshëm i Kosovës në New York. Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij është detyra si gjyqtar i organit më të lartë të drejtësisë në vend, Gjykatës Kushtetuese, post nga i cili dha dorëheqjen në vitin 2021.
Sejdiu njihet për qëndrimin e fortë kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe gjyqtari referues i rastit që rrëzoi Avdullah Hotin nga posti i kryeministrit. Në një qëndrim publik vetë Hoti deklaroi se për kanidaturën e tij do të votoj kundër. Për votimin e tij si president do të duhen 80 deputetë të pranishëm në raundin e parë.
Me një president të ri, kosova kalon ngërçin instutucional duke i dhënë fund një sage të gjatë krize politike 2 vjeçare, ndoshta të pakuptimtë./abcnews.al

