Earl Spencer, vëllai i Princeshës Diana, ka krahasuar mënyrën se si media britanike trajton Princin Harry dhe Meghan Markle me trajtimin që iu bë motrës së tij. Në një intervistë për BBC, Spencer e cilësoi ndikimin e mbulimit mediatik ndaj çiftit si “kancerogjen”, duke thënë se historia e Dianës duhet të shërbejë si një mësim që gjërat të mospërsëriten .
“Nuk jam këtu për të folur në emër të Harry-t dhe Meghan-it, por për këdo që po shkatërrohet në këtë mënyrë çdo ditë, duhet të ketë një ndikim kaq kanceroz në jetën e tyre. E pashë këtë me shkatërrimin që I ndodhi motrës time Diana. Nëse shikoni një artikull në një tabloid për Dianën ose çiftin që po përmendnit, Harry dhe Megan, e dini, mënyra sesi shkruhen këto artikuj të lënë një ndjesi shumë të pakëndshme.”
Sipas Spencer, motra e tij Princesh Diana u “rrëzua” nga kritikat që mori në media dhe ai tha se është për të ardhur keq të shihen sot “jehona” të së njëjtës histori në mënyrën se si raportohen Harry dhe Meghan.
Komentet e tij vijnë në një moment kur Spencer është përfshirë në një përplasje publike me Mbretin Charles lidhur me pretendimet e tij për një bisedë pas vdekjes së Dianës në vitin 1997. Në librin e tij të ri me kujtime, Spencer pretendon se Charles kishte thënë pas vdekjes së Dianës: “Do ta harrojmë shpejt”.
Buckingham Palace i është përgjigjur këtyre pretendimeve duke thënë se dhimbja e humbjes së një vëllai mund të ndikojë në arsyetimin, gjykimin dhe mënyrën se si kujtohen ngjarjet, edhe shumë vite pas tyre.

