Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pa partitë opozitare/ Kuvendi i Kosovës voton Qeverinë e re

schedule15:40 - 13 Shtator, 2026

schedule 15:40 - 13 Shtator, 2026

Albin Kurti siguroi mandatin e 4-të qeverisës si Kryeministër i Kosovës me mbështetje të Serbisë. Kuvendi i Kosovës votoi këtë të dielë qeverinë e re të vendit me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila mori 62 vota pro, 8 kundër dhe asnjë abstenim.

Konstituimi i Kuvendit, por edhe zgjedhja e Qeverisë së Re, ishin penguar nga arritja e kuorumit në Parlamentin e Kosovës, ku, sipas nenit 69, pika 3 e Kushtetutës, Kuvendi ka kuorum kur në procesin e votimit marrin pjesë më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve.

Albin Kurti u zgjodh për një mandat të 4-të qeverisës si Kryeministër i Kosovës me “bekimin” e Beogradit, pasi Lista Serbe qëndroi në sallë për të garantuar kuorumin në procesin e votimit, ndërsa salla ishte braktisur nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.



Pakti i Kurtit me Serbinë dha rezultatin e tij, vetëm një ditë pasi në Sheshin Skënderbej në Prishtinë morën pjesë mijëra shqiptarë në tubimin për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa vetëm pas dy ditësh në Hagë pritet vendimi përfundimtar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Për formimin e qeverisë së re, përtej 53 votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mori edhe 9 vota të deputetëve të komuniteteve jo shumicë, tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe. Albin Kurti, i cili përgjatë viteve të qeverisjes së tij ka shkatërruar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët strategjikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sinjalizoi se do të vijojë ta bëjë diçka të tillë, pasi u shpreh në Kuvend se programi i tij qeverisës nuk do të ketë ndonjë ndryshim.

Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar më herët gjatë ditës së dielë, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, ndërsa deklaroi se çështjen do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

Bazuar në një vendim të mëparshëm të kësaj Gjykate se Kuvendi mund të konstituohej edhe pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon, në rrethana të caktuara, funksionimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nuk mund të zbatohet në këtë rast.

Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!