Kryeministri Edi Rama i është drejtuar publikut përmes një videoje live pas përfundimit të takimit dyditor me ministrat në Pogradec, ku foli për përfundimet e mbledhjes dhe prioritetet e qeverisë për vijimësinë e mandatit.
Rama deklaroi se gjatë takimit janë konsoliduar disa prej pozicioneve të qeverisë, veçanërisht në raportin mes qytetarit dhe shtetit, si dhe në funksionimin e shumicës parlamentare.
“Kemi përgatitur shumëçka tani, duke i dhënë dorën e fundit, pasi kemi punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara se pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës. Kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet-qytetar”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te qasja e re e Partisë Socialiste në territor, si dhe te programet e reja të qeverisë.
Sipas tij, një prej programeve më të rëndësishme është ai i strehimit, ndërsa paralajmëroi edhe një sërë programesh të tjera që do të prekin sektorë të ndryshëm.
Në qendër të fjalës së Ramës ishte edhe koncepti “BESA”, të cilin ai e cilësoi si një parim të konsoliduar në themel të qasjes së re të qeverisë.
“BESA është një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë. BESËN e shohim si një akronim dhe jo thjesht si fjalën më të vyer të thesarit të kulturës dhe historisë shqiptare. Do të thotë besim, empati, shërbim dhe angazhim”, u shpreh kryeministri.


