Një ndërtim pa leje në zonën e Shën Janit, në Karaburun, është prishur pasditen e sotme gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe IKMT-së.
Në operacion morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro. Bëhet fjalë për një objekt prej druri, i cili po ndërtohej si “beach bar”.
Sipas Policisë, objekti ishte ndërtuar nga shtetasit Olsen Sherifaj dhe Skerdi Dinaj , të cilët ishin proceduar penalisht edhe më parë dhe kishin tejkaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të ndërtimit.
Gjatë operacionit u arrestua njëri prej ndërtuesve, shtetasi Skerdi Dinaj, ndërsa ortaku i tij, Olsen Sherifaj u shpall në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë një prononcimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, u bënë thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin iniciativa për ndërtime pa leje, duke paralajmëruar zbatimin e ligjit ndaj shkelësve.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon veprimet hetimore për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.


