Bashkimi Evropian ka mobilizuar 2 milionë euro ndihmë për komunitetet e prekura nga tërmeti që goditi Kolumbinë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila konfirmoi se fondet do të orientohen drejt zonave që kanë pësuar goditjen më të rëndë.
“Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, BE-ja po e mbështet Kolumbinë sa herë që është e mundur. Ne po vëmë në dispozicion dy milionë euro për të mbështetur komunitetet në zonat më të prekura”, deklaroi von der Leyen në një postim në platformën X.
Mbështetja evropiane vjen pasi autoritetet kolumbiane aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, instrument që mundëson koordinimin e ndihmës së ofruar nga vendet evropiane në situata emergjente.
Sipas informacionit të bërë publik, ndihma do të përshtatet në varësi të situatës në terren dhe nevojave të paraqitura nga autoritetet kolumbiane.
Ndërkohë, operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e personave vijojnë në zonat e prekura nga tërmeti. / abcnews.al /


