Prova e zjarrit të vërtetë për Shqipërinë. Nga baza ajrore e Farkës, kryeministri Edi Rama garantoi se qeveria është gati për çdo rast zjarri në sezonin veror, duke i paraprirë prej kohësh fatkeqësive që po ndodhin në Francë dhe Spanjë.
“Sot jemi të qartë të gjithë se zjarret e mëdha s’janë përjashtim i një vendi apo një vere të keqe, janë rregulli i një klime që përfundimisht ka ndryshuar. Ajo që po ndodh në Francë dhe Spanjë nuk është diçka për të cilën mund të pyesim a do të ndodhë edhe te ne, por të pyesim sa të përgatitur jemi ne kur të ndodhë? Në proporcione të tjera, por patjetër që Shqipëria është shumë më e vogël dhe s’ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Gjithçka kemi bërë këtë vit ka qenë përgatitja, është njësoj si një skuadër që përgatitet për kampionatin botëror në verë, duke u stërvitur gjithë vitin. Ky sezon do të jetë një provë, çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë, për të pasur një performancë më të mirë dhe për të qenë një trup i përbashkët”, tha Rama.
Në takimin me zjarrfikësit, Rama paralajmëroi se do t’i propozojë qeverisë ndryshime për t’i garantuar marrjen e pagave ekstra menjëherë dhe pa vonesa.
“Sigurisht, edhe për pagën tuaj. Këtë herë unë i kam propozuar qeverisë që gjithë forcave që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes të shpërblehen menjëherë, jo në fund, me pagë ekstra dhe ne ndërkohë ju bëj thirrje bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor, menjëherë, pa pritur që të mbarojë gjithë beteja. Sepse ajo pastaj është pjesë tjetër”, u shpreh kryeministri.
Koordinatori i gjithë strukturave për këtë vit është ngarkuar ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ndërsa së shpejti Rama zbuloi se Shqipëria do të ketë një flotë ajrore kundër zjarreve.
“Kjo provë kërkon përgatitje, sa më pak improvizim, kërkon koordinim, investim. Jemi përpjekur, e reja e këtij viti është se ministri për Pushtetin Vendor, që vjen nga eksperienca me bashkitë, edhe në këtë drejtim, ka luajtur rolin e koordinuesit të forcave. Kemi sot në dispozicion kapacitetet teknologjike më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë, me 4 helikopterë të gatshëm. Në çdo moment nevoje mund të bëhen 6, operacionalët janë 9, kanë dhe misione të tjera si shpëtimi, shëndeti. Ndërkohë që kemi mbyllur procedurën për 3 avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit”, shtoi ai.
Por ndërsa sezoni veror këtë vit po kalon i qetë nga zjarret, paralajmërimin e fundit Rama e kishte për piromanët.
“Thirrje për gjithë njerëzit, bëni kujdes, e dimë që zjarret nisin nga gjëra të vogla, nga një cigare e hedhur nga makina, nga hi që nuk është shuar pas një pikniku, pa harruar që ato nisin edhe kur ka qëllime të liga apo kur njerëz me çrregullime psikologjike i vënë zjarrin një territori. Për këtë arsye është e rëndësishme puna e policisë, vëzhgimi në territor, shfrytëzimi i teknologjisë për të kapur zjarrvënësit. Është bërë shumë mirë vitin e shkuar, por presim të bëhet më mirë këtë sezon”, përfundoi kreu i qeverisë.



