Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, u detyrua të kërkonte falje pas sherrit me një tifoz kundërshtar në Angli. Gjermani u shpreh gjithashtu i pakënaqur me lojën e skuadrës së tij.
Mund të humbasësh, por jo në këtë mënyrë.
Liverpuli nuk ia mbushi aspak mendjen trajnerit të tij, Jurgen Klop, në përballjen e Premier Ligës në fushën e Suonsit.
Skuadra që pretendon kualifikimin për në Champions sërish sezonin e ardhshëm, dhe që pati një fitore të madhe ndaj kryesueses Mançester Siti, nuk ia doli në fushën e ekipit të vendit të fundit.
Largimi i Filip Kutinjos natyrisht ka prishur punë, por jo aq sa për t’i lejuar fitoren skuadrës më të dobët të ligës.
Liverpuli u duk i vetëkënaqur me triumfin ndaj formacionit të Guardiolës, dhe mendoi se suksesi do të vinte vetë, ndërsa rreziku është I madh për të dalë jashtë zonës Champions, duke qenë vetëm 2 pikë mbi Totenhemin e vendit të pestë.
Për më keq, Klop, pati një përplasje me një tifoz vendas, duke iu përgjigjur provokimeve të tij, ndërsa u desh ndërhyrja e punonjësve të sigurisë.
Klop: “Duhet të them se edhe unë jam qenie njerëzore. Askush nuk mund t’i duronte sharjet e atij tifozi, ndonëse unë u përpoqa të mos merresha me të. Unë reagova vetëm një herë, atëherë kur mendova se u mbush kupa, dhe u ndjeva mirë që reagova. Jam i sigurt se nuk jam trajneri i parë që kam problem me të. Përsa i përket ndeshjes, jam më shumë I mërzitur me lojën sesa me rezultatin. Ne e humbëm ndeshjen në pjesën e parë dhe nuk bëmë atë që duhej”.
Skuadra e Klopit nuk është se nuk pati raste, përkundrazi, ishte ajo që luajti pjesën më të madhe të ndeshjes.
Suonsi e zotëroi topin vetëm 28 për qind, por pati edhe zotësi për të ndaluar të kuqtë, por edhe fat që nuk pësoi gol.
Trajneri i uellsianëve, Karlos Karvahal, u shpreh pas takimit se Liverpuli është si një makinë e Formula 1, por taktika e tij e ngadalësoi sikur të ndodhej në trafikun ë Londrës./abcnews.al