Ndërsa miliona turistë zgjedhin çdo vit Shqipërinë për plazhet e njohura të Rivierës apo atmosferën e gjallë të Tiranës, ekziston një tjetër anë e vendit që mbetet ende larg turizmit masiv.
Nga kanionet spektakolare dhe fshatrat e fshehur mes maleve, te gjiret e paprekura dhe peizazhet mahnitëse të veriut, këto destinacione ofrojnë një përvojë autentike, për ata që duan të zbulojnë Shqipërinë e vërtetë.
Një reportazh i medias italiane “Latitudes” i kushtohet pikërisht këtyre vendeve, duke i cilësuar si thesare të fshehura që mund të eksplorohen më së miri vetëm me makinë. Kanione ku mbretëron heshtja, fshatra ku koha duket sikur ka ndalur dekada më parë dhe liqene malore, me ujëra aq të kristalta sa duken të pabesueshme.
Paradoksi, ose ndoshta privilegji, është se këto vende nuk mund të zbulohen lehtësisht me transport publik. Nuk ka autobus që të çon në Kanionin e Gjipesë dhe as traget që të zbarkon në Filikur.
Mënyra e vetme për të njohur këtë anë të Shqipërisë, është të marrësh timonin dhe të ndjekësh rrugët, që në hartë duken si gjurmë të harruara. Kush e viziton Shqipërinë vetëm përmes tureve të organizuara, sheh vetëm një pjesë të saj. Pjesa tjetër u përket atyre që zgjedhin ta eksplorojnë vetë.
Kanioni i Gjipesë, një mrekulli e fshehur mes shkëmbinjve
Pak kilometra në veri të Himarës, përgjatë Rivierës Joniane, ndodhet hyrja e një shtegu që kalimtarët shpesh e anashkalojnë.
Pas rreth 30 minutash ecjeje mes mureve të larta shkëmbore, shfaqet Gjipeja, një nga plazhet më të egra dhe më spektakolare të Evropës, aty ku kanioni derdhet drejtpërdrejt në det.
Nuk ka struktura turistike, nuk ka shezlongë apo bare plazhi. Vetëm zhavorr i bardhë, ujëra me ngjyrë smeraldi dhe një qetësi, që sot është gjithnjë e më e rrallë të gjendet.
Për të mbërritur atje nevojitet një automjet. Parkimi pranë hyrjes së shtegut është pika e vetme e aksesit drejt këtij plazhi të mrekullueshëm.
Pa makinë, vizitorët detyrohen të mbështeten te taksitë, të cilat jo gjithmonë janë të disponueshme në zonë.
Për ata që planifikojnë një udhëtim të pavarur, marrja e automjeteve me qira, ofron mundësi fleksibël, duke i lejuar vizitorët të eksplorojnë pa kufizime itinerari dhe pa u varur nga oraret e transportit.
Thethi dhe Bjeshkët e Nemuna, aty ku koha ecën më ngadalë
Në veri të Shqipërisë, përtej Shkodrës, rruga ngjitet mes pyjeve me pisha dhe kthesave malore, derisa hapet në një luginë, që të krijon ndjesinë e hyrjes në një tjetër epokë.
Thethi, i fshehur mes Bjeshkëve të Nemuna, mbeti për shekuj i izoluar nga pjesa tjetër e vendit.
Sipas traditës, ai u themelua nga banorë katolikë që kërkonin strehim nga pushtimi osman dhe për gati tre shekuj mbeti i shkëputur nga bota.
Sot mund të arrihet, por jo pa vështirësi. Rruga nga Shkodra është vetëm pjesërisht e asfaltuar, ndërsa segmentet e tjera mbeten të pashtruara.
Një automjet i zakonshëm mund ta përshkojë itinerarin, por kërkohet kujdes dhe përvojë në drejtimin e mjetit në terrene të vështira.
Shpërblimi ia vlen. Kullat e gurta, të ngritura dikur për mbrojtje gjatë konflikteve mes familjeve, vazhdojnë të qëndrojnë krenare.
Disa prej tyre janë shndërruar në bujtina ku vizitorët mund të shijojnë mikpritjen tradicionale të zonës.
Edhe kuzhina është pjesë e përvojës, perime nga kopshtet familjare, djathë dhie dhe mish qengji i pjekur, sipas recetave të trashëguara brez pas brezi.
Për të përfituar sa më shumë nga vizita, vizitorët me përvojë, këshillojnë nisjen nga Shkodra në orët e para të mëngjesit, duke shmangur vapën dhe duke fituar më shumë kohë për eksplorim gjatë pasdites.
Liqeni i Komanit dhe lugina e Valbonës, ujëra bruz mes maleve
Liqeni i Komanit nuk është një liqen natyror. Ai u krijua në vitet 1970 si pjesë e sistemit hidroenergjetik shqiptar. Megjithatë, peizazhi që ka formuar sot, është ndër më mbresëlënësit në Ballkan.
I rrethuar nga pyje të dendura dhe shkëmbinj të thepisur, liqeni shfaq nuanca të ndryshme të ngjyrës bruz gjatë gjithë ditës, duke krijuar një panoramë të jashtëzakonshme.
Trageti që përshkon liqenin është tashmë një atraksion i njohur. Ajo që mbetet më pak e eksploruar është rruga tokësore që të çon deri aty.
Për të mbërritur nga Shkodra në pikën e nisjes së tragetit dhe më pas për të vazhduar drejt Valbonës, duhen të paktën tre deri në katër orë udhëtim në rrugë malore.
Transporti publik nuk e mbulon këtë itinerar në mënyrë të rregullt dhe të besueshme.
Filikuri dhe plazhet e Rivierës
Mes Himarës dhe Sarandës, bregdeti fsheh një seri gjirish dhe plazhesh që mund të arrihen vetëm përmes devijimeve të paasfaltuara nga rruga kryesore.
Filikuri është një prej tyre, një brez gurësh të bardhë i rrethuar nga shkëmbinj, ku mund të mbërrish vetëm në këmbë, në segmentin e fundit ose me një automjet të përshtatshëm për terrene të vështira.
Mes destinacioneve më pak të njohura meritojnë të vizitohen:
● Plazhi i Pasqyrave, pranë Ksamilit, ku ujërat pasqyrojnë qiellin, si një pasqyrë natyrore dhe ku zakonisht ka më pak vizitorë.
● Gjiri i Porto Palermos, i dominuar nga kalaja osmane dhe ende larg flukseve masive turistike.
● Borshi, me shtatë kilometra vijë bregdetare, plazhi më i gjatë i Rivierës shqiptare, i cili mbetet çuditërisht i qetë edhe në kulmin e sezonit.
● Plazhi i Livadhit, pranë Himarës, i frekuentuar kryesisht nga vendasit.
Asnjë prej këtyre destinacioneve nuk mund të vizitohet me komoditet pa automjet. Taksitë janë të disponueshme, por kostot për itinerare jashtë rrugëve kryesore rriten ndjeshëm.
Gjirokastra dhe bunkerët, një udhëtim në historinë e Shqipërisë
Rreth një orë e gjysmë larg Sarandës ndodhet Gjirokastra, qyteti i mbrojtur nga UNESCO, i ndërtuar mbi shpatet e malit dhe i kurorëzuar nga kalaja madhështore që dominon luginën.
Kalldrëmet, shtëpitë karakteristike osmane me çatitë prej guri dhe pazari historik ruajnë një atmosferë autentike që sot është gjithnjë e më e rrallë në Evropë.
Por Gjirokastra nuk është vetëm një thesar arkitekturor. Ajo përbën edhe pikënisjen ideale për të eksploruar një nga trashëgimitë më të veçanta të periudhës komuniste: bunkerët e ndërtuar gjatë regjimit të Enver Hoxhës.
Mbi 173 mijë struktura betoni janë shpërndarë në të gjithë territorin shqiptar, nga kodrat dhe plazhet deri në zonat më të largëta rurale.
Disa janë shndërruar në muze, kafene apo hotele butik. Shumica mbeten të braktisura dhe mund të zbulohen vetëm duke pasur lirinë për të ndaluar dhe eksploruar sipas dëshirës.
Këshillë për turistët që kërkojnë Shqipërinë autentike
Shqipëria vazhdon të jetë në një proces transformimi. Destinacione si Ksamili, Tirana dhe Saranda janë tashmë, ndër më të frekuentuarat gjatë sezonit veror.
Megjithatë, mjafton të largohesh pak nga itineraret e zakonshme, për të hyrë në një realitet ku mikpritja mbetet e sinqertë, çmimet janë ende të përballueshme dhe ndjesia e zbulimit ruan magjinë e saj.
Për këtë nevojitet pavarësi, një automjet, një hartë offline – pasi sinjali i internetit në zonat malore nuk është gjithmonë i qëndrueshëm – dhe gatishmëri për të ndjekur edhe devijimet e paplanifikuara.
Ata që zgjedhin të përshkojnë Shqipërinë me makinë, nga Bjeshkët e Nemuna në veri deri në Rivierën Joniane në jug, rrallëherë largohen me ndjesinë, se kanë parë diçka të zakonshme.
Ata kthehen me kujtimet e rrugëve të bardha mes maleve dhe detit, si edhe me dëshirën për t’u rikthyer sërish.



