Një konflikt mes katër personave ka ndodhur në lagjen nr. 8 të qytetit të Korçës, në zonën e njohur si Radaneci.
Sipas të dhënave paraprake, në konflikt janë përfshirë dy vëllezër dhe dy fqinj të tyre. Shkak për përplasjen dyshohet se është bërë zhurma e fëmijëve që luanin në lagje.
Debati mes fqinjëve ka degraduar në përleshje fizike, ndërsa dy vëllezërit kanë marrë dëmtime të lehta në kokë dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Gjatë konfliktit është dëmtuar rëndë edhe një automjet i parkuar në zonë. Dyshohet gjithashtu se gjatë përleshjes mund të jenë përdorur sende të forta, konkretisht drunj, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga grupi hetimor.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, dy vëllezërit, së bashku me dy personat e tjerë të përfshirë në konflikt, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë për të dhënë deklarimet e tyre.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

