Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-të do të dërgojnë 5,000 trupa shtesë në Poloni, një javë pasi Pentagoni anuloi një vendosje të planifikuar prej 4,000 trupash në vend.
Duke shkruar në Truth Social, Trump tha se vendimi bazohej në marrëdhënien e SHBA-së me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin ai e mbështeti gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.
Presidenti amerikan nuk dha detaje të mëtejshme nëse trupat shtesë ishin pjesë e vendosjes së planifikuar më parë apo e një operacioni tjetër, shkruan BBC.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar në javët e fundit se synon të zvogëlojë nivelet e përgjithshme të trupave në Evropë, si pjesë e axhendës së saj “Amerika e Para”.
Më herët këtë muaj, SHBA-të njoftuan gjithashtu se do të tërhiqnin 5,000 trupa nga Gjermania pas një mosmarrëveshjeje midis Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz për luftën me Iranin.
Trump më parë e kritikoi Merzin për sugjerimin e tij se SHBA-të ishin “poshtëruar” nga negociatorët iranianë.
Është e paqartë nëse trupat shtesë për Poloninë ishin pjesë e atyre që po tërhiqeshin nga Gjermania apo një grup i veçantë.
Ai gjithashtu ka qenë kritik ndaj aleatëve të Uashingtonit në NATO për mungesën e gatishmërisë së tyre për t’u bashkuar me SHBA-në në ushtrimin e presionit ndaj Iranit për Ngushticën e Hormuzit./abcnews.al


