Ish ambasadori Roland Bimo ka deklaruar se zhvillimet në Maqedoni janë rezultat i nacionalizmit maqedonas dhe marrëveshjeve të vështira politike, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në raportet me faktorin shqiptar.
Sipas tij, Shqipëria duhet të tregojë më shumë interes në mbrojtjen e çështjes shqiptare në rajon dhe të mos e lërë këtë temë në plan të dytë. Bimo theksoi se politika e jashtme shqiptare duhet të ketë si prioritet kryesor faktorin shqiptar, edhe kur kjo bie ndesh me qëndrimet e Bashkimit Europian.
“Ajo që ndodh në Maqedoni është produkt i nacionalizmit të maqedonasve, të cilët janë presuar për nevoja të ekzigjencave politike në marrëveshje shumë të vështira dhe këto që prodhohen me faktorin shqiptar janë produkt i tyre. Duhet të ketë një interesim nga Tirana, s’kam parë; le të jetë delikate. Një shtet si Shqipëria që e ka humbur konceptin shqiptar.
Unë insistoj që Shqipëria të ketë një politikë të jashtme ku faktori shqiptar të jetë kryesor. Nëse ka një qëndrim të BE-së që bie në kundërshtim me interesat e Kosovës, duhet refuzuar. Kjo lloj shmangie duket sikur i hyn më shumë në interes qeverisë që të mos prishë raportet me Brukselin. Duhet të ndryshojmë prioritetet, mos ta kemi integrimin europian prioritet, por ta kemi çështjen shqiptare.” / abcnews.al /


