Pas vitesh skenash ndërkombëtare dhe një karriere që e ka kthyer në një nga zërat më të veçantë të xhazit europian, Elina Duni rikthehet në shtëpi. Më 12 dhe 13 maj, artistja shqiptare do të ngjitet në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë, një vend që për të nuk është thjesht një skenë, por një copëz fëmijërie.
“Çdo të dielë vija këtu si fëmijë. Është shumë emocionuese të rikthehem tani, madhore, me muzikën time,” rrëfen Duni për ABC e Mëngjesit, ndërsa prezanton koncertin e saj në duo me kitaristin Rob Luft dhe albumin më të ri, “Reaching for the Moon”.
Një album që nuk ka kaluar pa vëmendje ndërkombëtare. Revista prestigjioze The Times e ka rekomanduar si një nga albumet që duhen dëgjuar gjatë muajit maj. Këngët, të shkruara në frëngjisht dhe anglisht, bashkëjetojnë natyrshëm me motive tradicionale shqiptare, tinguj në farsi e italisht dhe standarde të ripërpunuara të xhazit.
“Është një udhëtim muzikor ku këngët e vjetra dhe të reja i përgjigjen njëra-tjetrës, preken dhe transformohen,” thotë artistja. Nga melankolia e këngës titull, një vals i Irving Berlin, deri tek dhimbja e thellë e “Lonely Woman”, albumi vjen si një përkëdhelje e butë që ofron shpresë edhe në errësirë.
Por koncerti në Tiranë do të sjellë edhe një emocion të rrallë familjar. Në skenë do të jetë edhe nëna e saj, poetja dhe shkrimtarja Besa Myftiu, e cila dikur e çonte Elinën e vogël në Teatrin e Kukullave. Këtë herë, rolet janë përmbysur.
“Kam dhënë rreth 50 shfaqje ‘Lexim dhe Këngë’ me mamin në Zvicër, Paris, Bruksel, Prishtinë, Tiranë e Pogradec. Tani jam jashtëzakonisht e emocionuar që ajo do të jetë pjesë e promovimit të albumit tim,” thotë Duni. Besa Myftiu do të lexojë poezi dhe fragmente nga romani i saj “Dashuri në kohën e komunizmit”, që pritet të ribotohet.
Por përtej suksesit artistik, Elina Duni ndau edhe një nga rrëfimet më personale të jetës së saj: zgjedhjen për të mos pasur fëmijë.
“Kam bërë zgjedhjen e jetës që të mos kem fëmijë. Nuk është egoizëm. Një fëmijë kërkon përkushtim të plotë dhe nuk dua të sjell në jetë dikë, nëse nuk do kem kohën që meriton,” shprehet ajo, duke pranuar se shpesh është gjykuar për këtë vendim.
Artistja, që u largua nga Shqipëria vetëm 10 vjeç drejt Zvicrës, thotë se gjithmonë ka ëndërruar jetën që bën sot: një jetë “në valixhe”, mes skenave, udhëtimeve dhe muzikës. “Xhazi është jeta ime. Muzika për mua është liri, lëvizje dhe frymëmarrje,” tregon ajo.
E bija e regjisorit Spiro Duni dhe poetes Besa Myftiu, Elina kujton se është rritur në një shtëpi të mbushur me libra, art dhe histori. Një lidhje e fortë e bashkon me të ëmën, aq sa, siç thotë vetë, “ia dimë sekretet njëra-tjetrës”.
Mes rikthimit në vendin e fëmijërisë, suksesit ndërkombëtar dhe një jete të zgjedhur sipas rregullave të saj, Elina Duni vjen në Tiranë jo vetëm me muzikë, por edhe me një rrëfim të rrallë për lirinë, dashurinë dhe zgjedhjet që formësojnë jetën.


