Kanë kaluar më shumë se një muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili vrau ose u bë shkak për vdekjen e 52 personave në vend, ndërsa mijëra banorë ndodhën në hotele dhe çadra, kurse të tjerë kanë pasigurinë për banesat e dëmtuara.
Duke shoqëruar kryedemokratin e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, banorë të lagjes 17 të qytetit u shprehen se nuk kanë zgjidhje për shtëpitë e dëmtuara, kurse njëri prej tyre thekson se është kryer paligjshmëri e madhe duke dhënë leje ndërtimi në zona kënetore.
“Nuk lejohet në Durrës 20 kate. Si ka mundësi? Këtu ka patur bretkosa, këta kanë bërë pallate 20 kate.
Unë këtu kam vrarë rosa dhe kam zënë peshq dikur këtu në kënetë, këta kanë bërë pallate nga 12 kate. I pari që duhet të arrestohet është Vangjush Dako që ka dhënë leje ndërtimi nga 12 kate”, shprehet ai.
Ndërkohë një banor tjetër shprehet se pallatet e prishura janë ndërtuar jashtë standardit duke theksuar se janë 400 familje në Durrës që ndodhen jashtë në këto momente.
Kryedemokrati i Durrësit Ferdinand Xhaferaj tha prokuroria është marrë “vetëm me cironkat duke mos u afruar pranë rrethit të njerëzve të Ramës”. /abcnews.al