Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

“Gjuha, ADN e identitetit tonë”, Hoxha – Diasporës: Samiti për dialog, jo monolog. Ju duam partnerë!

schedule10:03 - 14 Prill, 2026

schedule 10:03 - 14 Prill, 2026

TIRANË– Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi rëndësinë e diasporës shqiptare gjatë fjalës së tij në Samitin e IV të Diasporës, duke e cilësuar atë si një element kyç në forcimin e vendit dhe identitetit kombëtar.

Në fjalën e tij, Hoxha u shpreh se Tirana nuk është më vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por një shtëpi e përbashkët për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Ai nënvizoi se samiti zhvillohet në një moment kyç, kur bota po përjeton ndryshime të shpejta, ndërsa Shqipëria po përparon me ritme të shpejta drejt integrimit evropian.

Ministri shtoi se i njëjti progres dhe perspektivë evropiane vlen edhe për Kosovën, duke theksuar bashkëpunimin dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve në rajon.



Sipas tij, diaspora shqiptare nuk duhet parë thjesht si një komunitet jashtë vendit, por si një pjesë e pandashme e qenies kombëtare, që kontribuon në zhvillimin dhe fuqizimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Sot në këtë sallë rreh një zemër të madhe, një zemër që e bën këtë qytet sot e përditë më shumë se vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, e bëjnë një shtëpi të përbashkët për të gjithë  ne. Samiti i IV i Diaspora vjen në një momentin kyç.

 Bota përreth nesh ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt se ardhmes  evropiane dhe këtë mund ta them me bindjen dhe për Kosovë.

Shqipëria kudo që ndodhet, është sot me e gjallë  dhe më e fortë se kurrë. Diaspora nuk është thjesht jashtë, ajo është pjesë e pandashme e qenies tonë.”, tha ai,

Samiti i IV i Diasporës mblodhi shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, duke synuar forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Fjala e plotë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në Samitin e Diasporës

I nderuar Kryeministër Rama;

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Peleshi dhe Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Gashi;

I nderuar Zëvendës Kryeministër i Parë i Republikës së Kosovës dhe Ministër për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Konjufca,

Të nderuar ministra, të zgjedhur dhe autoritete në rangjet përkatëse, si dhe miq nga të gjitha hapësirat ku rreh zemra shqiptare,

Të dashur bashkëatdhetarë, përfaqësues të diasporës shqiptare nga 38 vende, nga të katër anët e globit,

Mirë se vini në Shqipëri,
Mirë se vini në Tiranë,
Mirë se vini në shtëpi.

Sot nuk mblidhemi thjesht për një takim të radhës.

Si çdo herë kur bëhemi bashkë, përfaqësues të një kombi të shtrirë në rajon dhe një shoqërie që jeton në shumë vende, sot në këtë sallë të madhe e të mbushur plot rreh një zemër e madhe.

Një zemër që e bën këtë qytet – sot e përditë – më shumë se kryeqytetin e Shqiprisë: e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne.

Samiti i IV-të i Diasporës vjen në një moment kyç, siç e theksoi dhe Presidenti dje.

Ndërsa bota përreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes. Këtë mund të them me bindje dhe për Kosovën.

Dhe shqiptaria, kudo që ndodhet, është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë.

Ky realitet na kujton një të vërtetë thelbësore: diaspora nuk është thjesht “jashtë”.
Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë.

Jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.

Për shumë vite, marrëdhënia jonë me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim. Sot e dimë: është një rrugë me dy kahje.
Historia jonë e përbashkët na ka mësuar se largësia nuk e dobëson lidhjen. Përkundrazi, e forcon atë.

Por kjo lidhje kërkon kujdes, kërkon vëmendje dhe, mbi të gjitha, kërkon dëgjim.
Kemi shumë për të thënë për kulturën, identitetin, inovacionin, turizmin, zhvillimin lokal, talentet dhe të rinjtë, për shërbimet në linjë, përfshirë shërbimin tonë konsullor. Nuk do të ndalem këtu sepse për të gjitha këto e shumë të tjera do të diskutojmë ne detaje gjatë këtyre ditëve.

Por në këto minuta hyrëse, më lejoni të them dy fjalë mbi një aspekt të veçantë e themelor: gjuha shqipe.
Sepse ajo është ADN-ja jonë.

Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi — është kujtesë, identitet, është vazhdimësi.

Pa gjuhën, do të na mbetej vetëm trupi; dhe një trup pa shpirt varfërohet e tkurret.
Prandaj, përpjekjet për gjuhën – në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë – janë përpjekje për të qenë vetvetja.

Gabimi më i madh do të ishte të ngatërronim të përkohshmen me të përhershmen.

Të sakrifikonim thelbin me lehtësinë e momentit.
Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot – kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë – atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.
Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.

Këtë duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën tonë çdo fundjavë, në çdo klasë, në çdo aktivitet.

Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë më shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jemi të angazhuar me gjithë ekipin në Ministrinë e Jashtme.

Forca jonë ka qenë gjithmonë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën.

Të hapemi ndaj botës, pa humbur veten.

Të ndërtojmë ura me të tjerët, pa shembur themelet tona.
Dhe ne kemi marrë angazhimin që gjuhën shqipe, pjesë e familjes së madhe indo-evropiane, ta çojnë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Por çdo ditë e më shumë, ajo është edhe histori suksesi.

Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë por me shumë kurajë, tek profesionistët e sotëm që udhëheqin në shkencë, teknologji, biznes e kulturë — ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale.

Suksesi juaj nuk është vetëm personal — është edhe kombëtar. Sepse çdo arritje e juaja është një dritare më shumë për Shqipërinë në botë.
Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje.

Dhe kjo medalje ka një emër: shqiptaria në zhvillim dhe forcim.
Edhe nga larg, ju keni qenë gjithmonë afër.

Në kohë të vështira, keni qenë mbështetje.

Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë.
Ky samit nuk është një ceremoni.

Është një hapësirë pune. Një laborator idesh.
Një pikë takimi në mënyrë që vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.
Përgjatë këtyre ditëve, do të diskutojmë për sfida dhe mundësi konkrete: për mundësi e oportunitete, projekte e aktivitete, për shkëmbim dijesh dhe për ruajtjen e identitetit.

Do të dëgjojmë edhe kritikat, por edhe propozimë e rekomandime.
Nuk do të kemi monolog – sepse duam dialog.
Nuk do të flasim për ju – sepse duam te flasim me ju.

Nuk do të jeni dëgjues apo spektatorë — sepse ju duam aktorë;
Jo me ndjenjën e fajit por me peshën e përgjegjësisë dhe energjinë e mundësisë;
Pikërisht për këtë kemi ndërtuar plot 19 panele bashkëbisedimi, si asnjëherë më parë, me tematika shumë të larmishme, si dhe plot aktivitete anësore specifike që prekin drejtpërdrejt jetën tuaj dhe ndikojnë në të ardhmen tonë të përbashkët.

Sepse kemi shumë për të thënë e për të ndarë, por dhe më shumë për të bërë.

Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe ambicioz njëkohësisht: të mësojmë nga njëri-tjetri, të ndërtojmë ura më të forta dhe të krijojmë mekanizma konkretë që e bëjnë këtë lidhje të qëndrueshme, funksionale, efektive.

Sepse Atdheu është kudo ku ka shqiptarë.

Sepse, siç e kemi thënë, përmes rrënjëve lartësohemi dhe përmes dijes forcohemi.

Faleminderit të gjithëve që jeni këtu — si pjesëmarrës, moderatorë, panelistë, kontribues dhe bashkëudhëtarë në këtë rrugëtim.

Një gjë është e qartë: e ardhmja e sigurtë dhe e begatë ndërtohet më mirë dhe më shpejt së bashku.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!