Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Hoxha në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor: Integrimi ekonomik dhe investimet, çelësi i zhvillimit të rajonit

schedule11:00 - 26 Nëntor, 2026

schedule 11:00 - 26 Nëntor, 2026

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor “New Frontier”, në Tiranë, theksoi potencialin e rajonit për të kontribuar në konkurrueshmërinë ekonomike, sigurinë energjetike dhe forcimin e zinxhirëve evropianë të furnizimit.

Ai nënvizoi se integrimi ekonomik dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht, duke mundësuar që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga integrimi përpara anëtarësimit të plotë.

Ministri bëri të ditur se Shqipëria ka siguruar mbi 212 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes, përmes parafinancimit dhe pagesave të lidhura me zbatimin e reformave, ndërsa së shpejti pritet një disbursim me vlerë të përafërt.



Duke iu referuar ecurisë së procesit të integrimit evropian, ministri Hoxha theksoi se Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre, ndërsa objektivi mbetet përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027.

Ministri identifikoi ndërlidhjen infrastrukturore, energjinë dhe teknologjinë si tri fusha kryesore me potencial për investime. Në këtë drejtim, ai veçoi rëndësinë e Korridorit VIII, Gazsjellësit Trans Adriatik, Gazsjellësit Jon-Adriatik, si dhe mundësitë për zhvillimin e inteligjencës artificiale, prodhimit të avancuar dhe agrobiznesit modern.

Një vëmendje të veçantë ministri Hoxha i kushtoi zhvillimit të kapitalit njerëzor, forcimit të kapaciteteve institucionale, transparencës së prokurimit publik dhe investimeve në arsim e aftësi profesionale, si faktorë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme.

Në përfundim, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për krijimin e një tregu më tërheqës për investitorët, duke i ftuar pjesëmarrësit në konferencë të konkretizojnë mundësitë e bashkëpunimit përmes projekteve, partneriteteve dhe marrëveshjeve të reja.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!