Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, kritikoi reagimin e disa vendeve aleate ndaj konfliktit në Iran, duke e cilësuar atë si të ngadaltë në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë në Uashington, Rutte tha se, kur erdhi momenti për të ofruar mbështetje logjistike dhe të tjera për SHBA-në në Iran, disa aleatë “ishin disi të ngadaltë, për të mos thënë më shumë”.
Ai nuk përmendi vende konkrete, por theksoi se shumë prej tyre ishin kapur në befasi nga zhvillimet e konfliktit.
Rutte gjithashtu vuri në dukje pakënaqësinë e presidentit amerikan Donald Trump gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, Trump ndjeu se “shumë aleatë nuk ishin me të”, megjithëse Rutte shtoi se shumica dërrmuese e vendeve evropiane po vepronin sipas kërkesave të SHBA-së.
Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për mungesë angazhimi më të madh në konfliktin me Iranin.
Mosmarrëveshjet janë përqendruar kryesisht te përdorimi i bazave ushtarake dhe mundësia e një misioni për të siguruar Ngushtica e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të energjisë.
Sipas zëdhënëses së NATO-s, Allison Hart, SHBA-ja pret angazhime “konkrete” nga aleatët për garantimin e lirisë së lundrimit në këtë korridor strategjik. Raportime të mediave sugjerojnë se Uashingtoni kërkon plane të qarta nga vendet evropiane brenda pak ditësh.
Tensionet janë rritur pasi Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit në fillim të marsit, në përgjigje të sulmeve nga SHBA dhe Izraeli, duke ndërprerë furnizimet me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm dhe duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve globale.
Takimi mes Rutte dhe Trump u zhvillua më pak se 24 orë pas shpalljes së një armëpushimi të brishtë në konflikt. Më pas, Trump shprehu hapur frustrimin e tij në platformën Truth Social, duke deklaruar se NATO nuk ishte aty kur SHBA kishte nevojë dhe mund të mos jetë as në të ardhmen.


