Kufizime, transparencë, ndëshkime në gjoba, përjashtime nga zgjedhjet por edhe tolerime. PS dhe PD kanë dërguar në komisionin e reformës zgjedhore draftin e dakordësuar për financimin e partive politike, që do të prezantohen të martën nga ekspertët.
Në ndryshimet e propozuara në ligj, neni 10 parashikon kufizime në vlerat monetare që mund ti dhurohet një subjekti politik. 200 mijë lekë është limiti nga një shtetas shqiptar deri në 1 milion lek nga një person juridik brenda 1 viti, dhe nëse kjo tejkalohet dhuruesi mban përgjegjësi personale për shkeljen.
Sa i përket vetë subjektit politik, kur një parti nuk paguan detyrimet, paguan gjobën e vendosur nga KQZ. Në rast detyrimi tatimor apo të caktuar nga vendim gjyqësor i formës së prerë, atëherë gjoba i merret nga fondi publik që përfiton partia nga buxheti i shtetit.
Kur detyrimi tejkalon fondin e përfituar në 1 vit, atëherë partia nuk merr pjesë në zgjedhje pa paguar detyrimin. Me këtë draft, një parti politike detyrohet të bëjë publike dhe transparente për çdo anëtar të saj të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që ka kryer brenda 1 viti, qoftë ai vit electoral apo jo.
Detyrimi tjetër, është dorëzimi sipas afateve pranë KQZ të përfitimeve dhe shpenzimeve. Çdo parti ka afat deri më 31 mars të vitit pasardhës të dorëzojë raportin financiar vjetor.
Në rast se konstatohen shkelje, KQZ gjobit subjektin politik me gjobë nga 100 mijë lekë në rast se partia nuk ka regjistër të të ardhurave, deri në 1 milion lekë gjobë shtuar dhe kundravajtje penale kur evidentohet se në këmbim të dhurimeve partia ka premtuar favorizime në këmbim të mbështetjes financiare.
Për rastet kur, KQZ evidenton se një parti ka përfituar fonde anonime, pra nga një dhurues pa identitet apo i papërcaktuar, fondet kalojnë për llogari të KQZ, dhe KQZ duhet ti referojë këto raste pranë organeve hetimore.
Kur një parti nuk dorëzon për dy vite radhazi raportin vjetor të financimit, atëherë ajo përjashtohet nga pjesëmarrja në zgjedhje. Me këtë draft të dakordësuar nga dy partitë më të mëdha politike, nga njëra anë spastrohet lista e gjatë e partive fantazmë të cilat nuk kanë as buxhet dhe as seli, por në prag zgjedhjesh shfaqen për të kandiduar qoftë më vete qoftë me koalicion.
Nga ana tjetër, sfida edhe kësaj radhe mbetet zbatimi, siç e ka ngritur si problem edhe kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Partitë e mëdha prej vitesh ia kanë hedhur me gjoba. Rasti më flagrant është ai i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e vitit 2025, KQZ i dha PD, 44 milionë lekë fonde.
Por me kaq fonde, PD nuk pagoi as 1/3 e faturës 1.4 milionë euro për fushatuesin e Tramp, Chris La Civita. Shtuar këtu edhe 800 mijë eurot e shpenzuara për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit si dhe lobimin e majmë 6 milionë dollarë në SHBA. Sfida sërish mbetet jo ndryshimi i ligjit, por zbatimi i tij./abcnews.al


