TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, e ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se të enjten Kuvendi do të mbajë seancën plenare duke theksuar se agjenda parlamentare dhe procesi i integrimit europian do të vijojnë përpara.
Duke komentuar kërkesat e protestuesve për largimin e kryeministrit, Bylykbashi argumentoi se çështja nuk duhet parë vetëm te emri i kreut të qeverisë, por te funksionimi i sistemit demokratik dhe i institucioneve.
Sipas saj, rrëzimi i një qeverie të votuar me shumicë votash pa një analizë të pasojave institucionale mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe të çojë në kaos institucional. Në përfundim, Bylykbashi theksoi se mazhoranca do të vijojë punën për përmbushjen e agjendës së saj parlamentare dhe objektivave të integrimit europian.
“Përveç javës që shkoi, në të cilën kam pasur edhe një zëvendësim të agjendës së Parlamentit, kjo për një qëllim madhor, meqë ishin dhe ditët e para dhe tensioni ishte shumë i lartë. Ishte shumë e dukshme që protestuesit patjetër që do vinin te Parlamenti, sepse ishte vendi që ishin të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar. Është gjithë ajo kastë politike që thonë se duhet të ikë. Ky ka qenë si qëllimi i tyre.
Pas asaj të enjteje, ne kemi vazhduar, kemi ndjekur proceset e punës në mënyra sigurisht më të kujdesshme. Të enjten ne kemi Parlament. Të enjten do të mblidhet Parlamenti. Ka një agjendë shumë të ngjeshur me projektligje, një pjesë e të cilëve është përafrimi i ligjeve me ato të BE-së.
Agjenda jonë europiane nuk ka për t’u ndalur dhe ne kemi të gjithë vullnetin për ta çuar përpara dhe të mbyllim të gjithë kapitujt brenda 2027. Nuk është proces i thjeshtë, është i vështirë, kërkon shumë angazhim. Kur shoh disa të rinj që nuk kuptojnë, ose thonë: “Të ikë kryeministri, vetëm këtë kërkojmë”, por pa një analizë se si ndikon kjo te institucionet.
Këtu nuk është çështja e emrit të kryeministrit, këtu është çështje e një sistemi demokratik, e para që ti krijon një precedent të rrezikshëm për mënyrën se si pastaj njerëz, nëse duam, thonë e hedhim një qeveri edhe pse ajo është e votuar. Krijohet një kaos institucional. Ne vazhdojmë ta çojmë agjendën tonë përpara.”, theksoi ajo./abcnews.al


