Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të votojë më vonë gjatë ditës së sotme për dy projekt-rezoluta rivale që lidhen me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në rajon.
Projekt-rezoluta e parë, e paraqitur nga vendet e Gjirit, dënon sulmet e Iranit ndaj tyre dhe ndaj Jordani.
Ndërkohë, Rusia, aleate e Iranit në Këshillin e Sigurimit ka paraqitur një draft konkurrues. Teksti i saj nuk përmend drejtpërdrejt Iranin, Izraelin apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe u bën thirrje palëve të ndalin luftimet dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.
Kjo është nisma e parë që merret në shqyrtim nga Këshilli i Sigurimit që nga mbledhja emergjente e zhvilluar menjëherë pas shpërthimit të konfliktit.
Gjatë asaj mbledhjeje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se sulmet ajrore të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA ndaj Iranit, si edhe kundërpërgjigjja ushtarake e Iranit ndaj vendeve të rajonit, përbëjnë shkelje të Kartës së OKB-së.
Nga ana tjetër, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, kritikoi vendet e Gjirit, duke i akuzuar ato se po përpiqen të përmbysin rolet e agresorit dhe viktimës përmes një teksti që ai e cilësoi të njëanshëm dhe të motivuar politikisht.
Projekt-rezoluta në fjalë ka marrë deri tani mbështetjen e më shumë se 90 vendeve, përfshirë edhe Mbretëria e Bashkuar. Ajo kërkon ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha sulmeve dhe kërcënimeve nga Irani ndaj gjashtë vendeve të Gjirit dhe Jordanisë, përfshirë edhe përmes forcave aleate ose grupeve të ndërmjetme.
Po ashtu, drafti dënon çdo veprim apo kërcënim nga Teherani që mund të mbyllë ose të pengojë lundrimin ndërkombëtar në ngushticën strategjike, Ngushtica e Hormuzit.


