Partitë opozitare në Kosovë kanë gjetur kohën t’i shkojnë Kurtit nga pas në takimet e thirrura prej tij për çështjen e presidentit, por nuk e kanë parë të arsyeshme në asnjë moment të bisedojnë me njëra-tjetrën për të nxjerrë së bashku një kandidat për president, qoftë edhe si një shenjë e fuqisë së tyre politike.
Ka qenë ish kreu i AAK Ramush Haradinaj që ka bërë publike një letër dërguar Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, të datës 21 janar, në një tentativë për t’i paraprirë rrëshqitjes së vendit në një krizë të re.
Në letrën e tij ai iu kërkonte kolegëve opozitarë koordinim për çështjen e presidentit.
“Vendi po hyn në një fazë të ndjeshme dhe kritike. Mandati i presidentes po përfundon, ndërsa partia e parë e dalë nga zgjedhjet parlamentare ka dhënë sinjale se do të vazhdojë të sillet me logjikë dominimi. Ne si parti kemi përgjegjësi historike të veprojmë bashkë.”, thotë Haradinaj.
Haradinaj ka ftuar Hamzën dhe Abdixhikun të caktojnë një ditë për tu takuar, ftesë së cilës të dy i janë shmangur, duke dëshmuar se PDK dhe LDK nuk po i kapërcejnë dot hendeqet historike mes tyre dhe as po lartësohen mbi interesat personal, përballë një pushtetit në rritje të kundërshtarit politik.
“Një kandidaturë, në funksion të unitetit institucional, është jetike për rendin demokratik dhe ndarjen e pushteteve. Çdo qasje tjetër e lë vendin të ekspozuar ndaj pazareve dhe diktatit politik.”, shton më tej Haradinaj.
Asnjë nga partitë opozitare nuk i ka e vetme 30 nënshkrime deputetësh për të dorëzuar në kryesinë e kuvendit një kandidatë për president, edhe pse sëbashku ndoshta mund të sillnin një alternativë…
/abcnews.al/


