Gjatë konferencës me kryeministrin e Izraelit, Benjanim Netanyahu, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve sidomos në fushën e Turizmit. Rama ftoi të gjithë popullin hebre të vizitojnë Shqipërinë .
“Mirëpresim rritjen e tregtisë dhe të investimeve mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit dhe sidomos marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar bashkërisht një prodhim të ri të mbrojtjes e sistemit ushtarak dhe falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet për prodhimin “Made in Albania” të sistemeve të mbrojtjes, që të shtrihet edhe jashtë vendit.
Në këtë frymë të bashkëpunimit në rritje do ta përurojmë nesër, siç ju e përmendët, hapjen e dhomës së tregtisë në Jeruzalem, që synon të forcojë lidhjet e biznesit dhe të nxitë Shqipërinë e mundësitë e saj si një vend që po zhvillohet fort.
Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, dua ta përmbyll me notën më mbresëlënëse e më inkurajuese në këtë marrëdhënie, turizmin dhe shkëmbimet midis njerëzve, të cilat më së fundi, po rriten ashtu siç duhet, mbështetur nga fluturimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Shqipërisë.
Dua që të ftoj ngrohtësisht të gjithë popullin hebre të vizitojë Shqipërinë e të zbulojë një tokë të jashtëzakonshme, jo vetëm për nga natyra, por për nga shpirti i saj, që siç një vëzhgues hebre e përshkruante përpara Luftës së Dytë Botërore, është një vend ku hebrenjtë mund të jetonin hapur, të sigurt dhe me dinjitet të plotë.” tha Rama./abcnews.al


