Mes historive Lezhës dhe legjendave të Shkodrës, Zadrima është një vend ku koha nuk ka nxituar kurrë, përkundrazi…
Zadrima është si ajo toka pjellore ku mbin çdo farë, e nga e cila e vështirë të ikësh edhe kur rrëmuja e rrëmëti i qytetit të thërrasin e joshin.
Zadrimoret nuk thurin veç pëlhura si Penelopa, duke pritur rikthimin e burrave a fëmijëve në shtëpitë e tokën e tyre, por më së shumti thurin shpirt e tradita.
Në kafazet e vegjave të tyre çdo fije duket se lidh banorët pazgjidhshmërisht me identitetin e historinë.
Zona ruan tradita mijëvjeçare, që erdhën në këtë tokë para Krishtit e që u lidhen me pas edhe me birin e Perëndisë.
Në këtë ditë lindje të Krishtit, gratë e Zadrimes, të papërtuara në punë dore, në artizanat, ushqim e mikpritje, na tregojnë një anë tjetër të tyre.
Zadrimoret na rindërtojnë një rit të transmetuar nder shekuj që nga koha parakristiane. Quhet Pasore që do të thotë “me Pa”. Disa studiues seriozë të folklorit shqiptar kanë hedhur idenë se rituali i pasoreve ka rrënjë shumë më të hershme, duke iu paraprirë edhe vetë narracionit biblik të vizitës së dijetarëve tek foshnja Jezus dhe Zoja e bekuar.
Ritet që shoqërojnë “Pasoren”, vizitat e para të nënës pas lindjes së femijes, bekimit të parë të familjes, i kanë shpëtuar mrekullisht shekujve, pushtuesve, migrimit, emigrimit e së fundmi dhe teknologjisë.
Çdo skenë të sjell idenë sikur je në një film epik historik. Gratë janë të veshura si dikur, ku çdo copë nga ajo veshje mbart histori, mund e sacrifica të tyre dhe të brezave.
20 gra, secila me veshjen karakteristike të Zadrimës, nisen për të bekuar me dhurata e fjalë Perendie foshnjen e sapolindur. Ky rit i mbijetuar deri në shek XX, konsiderohet nga studiuesit si një praktikë me origjinë të lashtë para kristiane, me shtresa të forta pagane të lidhura me kultin e nënës, trashëgimisë e pjellorisë.
Atë ditë, përveç qiellit e diellit, çdo gjë duhet të transmetojë gëzim. Nëse një nga gratë mban zi, shamia e zezë dhe bohçja duhet të fshihen në xhepat më të thellë: kjo ngjyrë nuk pranohet në këto ditë urimi.
Oborri gumëzhin nga mirësia e grave e gëzimi i tyre. Zakoni e do të priten nga të zotët e shtëpisë, e ashtu ndodh. Hapi drejtohet nga oda ku gëzimi e jeta e re i pret.
Të gjitha të ulur në një sofër, këmbëkryq ashtu si dikur. Me dhuratat që derdhen nga trasta, secila prej tyre ka nje rol të veçantë. Nënëdaja ka “dorën” më të rëndë, si në fjalë, ashtu edhe në “peshqeshe”.
Të zotët e shtëpisë qëndrojnë në këmbë. Për të respektuar gratë e rrufeshëm për të kthyer uratat.
Pas gostisë së dhuratave, zë vend momenti i qerasjes. Petulla, mjaltë e bishtaleca, kuleçët tipikë që përgatiten mjeshtërisht nga gratë e zonës. Dhuratat e vendosura perpara nënës ose djepit kanë funksione të caktuara magjiko-simbolike. Bollëk, ripertëritje, hapje fati e mbrojtje kundër syrit të keq e energjive negative.
Sipas traditës, halla sjell foshnjën në odë.
Nga goja e grave dalin veç xhevahire, njësoj si stolitë e veshjeve të tyre. Pas gostisë, një moment kyç është larja e duarve, me një govatë e një ibrik, zonjat përsëri në krye të detyrës.
Edhe sot, mes ndryshimeve të kohës, pasorja mbetet krenari e Zadrimës, si një relike e gjallë që s’e lë traditën të tretet. Gratë po njësoj edhe në ditët moderne nuk e harrojnë se si ‘shkohet me të pame’ tek njëra-tjetra. Edhe pse jo te veshura gjithmonë me veshjen e zakonit, respekti kryhet po njësoj.
Ky ritual zhvillohej nga dita e tretë deri në ditën e shtatë pas lindjes, sipas zonës dhe kushteve të familjes. Periudha e parë e jetës së fëmijës konsiderohej “koha e brishtë”, kur duhej të mbrohej nga ndikimet e liga dhe duhej me i hapë “udhën e mbarë”. Disa studiues e lidhin këtë ritual me vizitën e dijetareve dhe mbretërve në lindjen e Jezusit.
Pasorja është një pasuri etnografike e çmuar që hedh dritë mbi strukturën e familjes tradicionale, rolin e gruas dhe vazhdimësinë e kulturave të lashta në trojet shqiptare. Ky ritual mijëravjeçar i kujton njerëzit se bukuria më e madhe nuk qëndron tek madhështia, tek fjalët e premtimet e mëdha, por mbi të gjitha tek gjestet e vogla, të sinqerta, të bëra me dashuri e zemër të bardhë.
E padëgjuar/ Pasorja, rituali pagan që mbijeton prej mijëra vitesh në Zadrimë. Lidhja me Krishtin
schedule10:19 - 25 Dhjetor, 2025
schedule 10:19 - 25 Dhjetor, 2025
