Donald Trump ka përsëritur se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po shkojnë mirë, pasi një delegacion nga Kievi u takua me zyrtarët amerikanë në Florida.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi edhe njëherë se ka një shans të mirë që të arrihet një marrëveshje paqeje.
“Bisedimet po shkojnë mirë. Ne duam të ndalojmë vrasjen e njerëzve. Nuk ka shumë të bëjë me ne, por do të doja të shihja nëse mund të shpëtojmë shumë njerëz. Muajin e kaluar, patëm 27,000 njerëz të vrarë në atë luftë qesharake që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”, tha Trump.
Trump u ndal edhe te problemet e brendshme të Ukrainës, që kanë të bëjnë me një skandal korrupsioni dhe tha se zhvillime të tilla nuk janë të dobishme.
Deklaratat e Trump erdhën pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se bisedimet në Florida ishin shumë produktive, por mbetet ende punë për t’u bërë drejt fundit të luftës.
Një pjesë e kësaj pune ka të bëjë me vizitën e Steve Witkoff në Moskë, ku së të takohet me Vladimir Putin dhe sipas disa mediave ndërkombëtare do t’i paraqesë ofertën për njohjen amerikane të territoreve të pushtuara në Ukrainë.
Presidenti Volodymyr Zelensky falenderoi Trump për përpjekjet e tij për fundin e luftës, teksa Rusia sulmoi sërish, duke lënë të plagosur dhe duke shkatërruar infrastrukturën.
Ky ishte takimi i dytë brenda pak ditësh mes amerikanëve dhe ukrainasve, pas atij në Gjenevë, nga ku pala europiane doli me një kundër propozim ndaj planit të Trump me 28 pika.
Në takimin e Floridës delegacioni ukrainas i kryesua nga ish-ministri i mbrojtjes tashmë sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, ndërsa nga amerikanët takimi u kryesua nga Marco Rubio, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner./abcnews.al

