Operacioni i zhvilluar në Itali kundër një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës nga Amerika e Jugut ka nxjerrë sërish në pah përfshirjen e shtetasve shqiptarë në grupe kriminale që veprojnë ndërkombëtarisht.
Operacioni i Guardia di Finanza-s shkatërroi grupin italo-shqiptar që merrej me trafikun e kokainës dhe sipas asaj që shkruajnë mediat italiane janë ekzekutuar në total 28 masa sigurie, prej të cilave 25 në burg dhe 3 në arrest shtëpie.
Shqiptarët e përfshirë janë Marjus Aliu, Fatjon Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani; për të gjithë është kërkuar masa ‘arrest në burg’.
Grupi kriminal akuzohet se ka trafikuar 3.5 ton kokainë, nga të cilat më shumë se 400 kg u sekuestruan në Itali dhe jashtë vendit. Brenda afërsisht dy vitesh, organizata transportoi drogë me vlerë mbi 27 milionë euro. Hetimi u përqendrua kryesisht në analizimin e përmbajtjes së bisedave të shkëmbyera në telefonat celularë duke përdorur sistemin SkyECC.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga trafiku i drogës./abcnews.al

