Partia Socialiste ka siguruar një fitore të plotë në zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura të dielën në pesë bashki të vendit Vlorë, Cërrik, Tepelenë, Mat dhe Bera, duke vijuar kështu qeverisjen në këto njësi vendore. Rezultatet, që konfirmuan avantazhin e PS-së ndaj kundërshtarëve politikë, kanë sjellë sërish në vëmendje krizën e thellë të opozitës.
Analisti Roland Lami, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, u shpreh se rezultati ishte i parashikueshëm dhe se Partia Demokratike ka humbur kontaktin me elektoratin, duke u shndërruar në një “parti bunker”.
Sipas tij, mungesa e një opozite funksionale dhe dështimi i partive të reja për të fituar terren përbëjnë një sinjal shqetësues për sistemin politik në vend.
“Referuam me sondazhet e ABC Neës jemi aty-aty me rezultatin. Ishin disa tregues që nuk ishin pa arsye. Njerëzit e shikojnë si humbje të shkojnë të votojnë për PD kur e di që do të humbasë. Humbja e PD ishte e qartë. Rezultati dihej pa nisur akoma procesi i numërimit të votave. E vetmja bashki ku mendoja që se do të kishte një rezultat surprizë ishte Mati, ku mund të kishte një rezultat të pavarur. Por, edhe atje vota e PD ka ikur në drejtim të paditur.
Në parim partitë e vogla, apo të reja kanë kryesisht elektorale në zonat e mëdha urbane, është shumë e vështirë që partitë e vogla me organizim të dobët të kenë mbështetës në qytetet e vogla. Ajo çfarë pamë ishte që këto parti e humbën atë shans. Unë gjykoj që ky është një lajm i keq për partitë e reja. PD gjykoj se e ka mbyllur ciklin e saj. Humbjet janë kolosale dhe seriale, do të thotë që atje është kthyer një parti bunker, që komunikon me veten.
Vendi pa opozitë shkon në drejtim të paditur, po PD nuk e dëgjon këtë, dhe kjo është një dramë që e ka sistemi ynë politik. E partitë e vogla që tentojnë të bëhen të mëdha i ka zënë gjumi i PD. PD është një forcë politike që e ka mbyllur qepenin dhe është bërë rahmet”, tha analisti Roland Lami.

