Luan Birçe, trajneri i Flamurtarit, ka analizuar humbjen që skuadra e tij pësoi në sfidën e djeshme kundër Tiranës. Kreu i pankinës kuqezi thekson se priste diçka tjetër në 45 minutat e dyta, pasi nuk e kishin ekipin kryeqytetas të shënonte. Sigurisht që kjo humbje e bën edhe më shqetësuese situatën tek ekipi vlonjat.
“Morëm një tjetër humbje, edhe pse kishim si objektiv të merrnim pesë pikë në tre ndeshjet e fundit. Nuk morëm asgjë në ndeshjen e dytë dhe kjo na fut në vështirësi edhe më të mëdha. Shpresojmë që me Teutën të marrim tre pikët”, tha fillimisht Birçe, i cili më pas u mor me atë që ekipi i tij bëri në fushë ndaj Tiranës.
“Luajmë si të barabartë një pjesë loje, më pas fenomeni i presionit të fushës ndihet në ekipin tonë. U kam thënë lojtarëve që pjesa e dytë duhet të jetë në favorin tonë, pasi kundërshtari futet në kolaps dhe ngarkohet psikologjikisht. Kjo duhet të shfrytëzohet nga ana jonë, por po ndodh e kundërta. Mendoj që është edhe gjendja psikologjike e skuadrës, që lidhet me anën fizike, që sjell që të bjerë loja në pjesën e dytë”, tha Birçe për “ABC News”.
PENALLTIA – Sigurisht ai foli edhe për rastin e penalltisë, që ndryshoi ndeshjen. Nuk kërkon alibi dhe vë në dukje problemet e skuadrës së tij: “Nuk jam i sigurt për penalltinë. Fola me Sukajn dhe më tha që ishte jashtë zone. Nuk e kam parë si rast, por nuk dua të ngre alibinë e penalltisë. Pas minutës së 60-të loja jonë la shumë për të dëshiruar. Ranë vrapimet, ranë dyluftimet, skuadra u nda në fragmente të caktuara të fushës, nuk ishim solidë si në pjesën e parë dhe pësuam sërish”.
E ARDHMJA – Janari mund të sjellë eksod te Flamurtarit dhe Birçe thotë: “I referoheni faktit që mungova dy ditë në stërvitje. Kisha arsye të miat dhe e kisha njoftuar klubin. Do presim të mbyllet ndeshja e fundit për këtë vit dhe të shohim çfarë vendimesh do të merren. Kemi folur me presidentin, ka thënë se skuadra do të rifreksohet dhe do i jepet mundësia që të paraqitet ndryshe vitin tjetër. Mirëpo nuk jam i sigurt me atë që do të ndodhë në merkato”.
“Vazhdimësia? Duhet të vazhdoj, pasi i detyrohem fanellës, historisë, qytetit. Do jap kontributin tim në masën që do të më kërkohet. Nuk e di nëse më tej do të operohet ndryshe dhe do kërkohet zëvendësimi im. Do e mirëpres pa asnjë diskutim nëse ndodh”, shton Birçe. Se sa e vështirë është për një trajner të bëjë diçka në një ekip me lojtarë që vetëm presin të largohen, nuk do shumë koment.
Birçe gjithsesi nuk shmanget: “E kam thënë që situata është tejet e vështirë. Në situata të tilla ka edhe perceptime jashtë normales. Gjithsesi kjo është puna jonë, duhet të durojmë, duhet ët bëjmë punën tonë. Sigurisht është tejet e vështirë. Bëjmë aq sa mundemi. Kjo është një mundësi për lojtarët e rinj. U është dhënë mundësia të marrin skuadrën për dore. Edhe Luftëtari me lojtarë të rinj po përballet dhe ata po tregojnë diçka më tepër se ne”. /abcnews.al