Rreziku pas tërmetit / Nis heqja e depozitave mbi tarracat e pallateve

schedule11:13 - 19 Dhjetor, 2019

schedule 11:13 - 19 Dhjetor, 2019

Pas udhëzimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak më 16 dhjetor, Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për heqjen e depozitave nga pallatet e shpallura të pabanueshme me vendim të Institutit të Ndërtimit.

Punonjësit e institucioneve të Bashkisë të ndihmuar nga efektivët e Policisë Bashkiake kanë nisur aksionin si fillim në pallatet të cilët janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në rastet kur pallatet nuk kanë dëmtime strukturore, heqja e depozitave të ujit është detyrë e vetë banorëve dhe e administratorit të pallatit. Bashkia e Tiranës ka vendosur që administratori i pallatit është përgjegjës për administrimin dhe sigurinë e depozitave të përbashkëta.

Vendosja e depozitave të përbashkëta të ujit, përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë.

Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët, brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit.

Një kopje e këtij raporti i dorëzohet edhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse.

Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera të Bashkisë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit./abcnews.al