Birçe: Flamurtari nuk ka liderë, ja ç’më tha Sukaj për penalltinë

schedule18:16 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 18:16 - 18 Dhjetor, 2019

Flamurtari luajti një ndeshje të mirë kundër Tiranës, por doli pa pikë nga dueli i kryeqytetit. Ekipi vlonjat renditet në vend të fundit me 6 pikë dhe nuk ka arritur ende të realizojë fitoren e parë. Trajneri i kuqezinjve, Luan Birçe analizoi sfidën kundër bardhebluve në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

NDESHJA – “Zhvilluam një pjesë të parë të mirë dhe të ekuilibruar, krijuam edhe raste. Pjesa e dyta është e lidhur me anën  fizike dhe mentale. Përgatitja psikologjike ndikon në anën fizike. Kjo na ka bërë që në pjesën e dytë të marrim presionin e fushës, të mos reagojmë dhe të vrapojmë pak. Kështu kemi pësuar gjithmonë në pjesën e dytë kemi pësuar gola. Sot lamë shumë për të dëshiruar për sa i përket shpirtit të garës”.

PENALLTIA – “Nuk e di, nuk kam gjë për të thënë. Sukaj më tha që ishte jashtë zonës. Duhet parë. Penalltia e futi lojën në kolaps”.

MUNGESA – “Mungova dy ditë për arsye personale. Kjo ishte e gjitha, e kisha njoftuar dhe klubin”.

PROBLEMI – “Pjesët e dyta duhet të jenë favorizuese për ekipet udhëtuese. Ne duhet të godasim për të marrë ndeshjen, por ka ndodhur e kundërta. Mungojnë lojtarët që duhet të marrin përdore skuadrën liderë. Nuk shikoj ndonjë lojtar të veçantë, që të bëjë diferencën dhe të ngrejë ekipin lart. I shikoj shumë të zvogëluar në pjesën e dytë. Situatën e shikoj akoma më të vështirë”.

E ARDHMJA – “Fanella dhe historia na ka ngacmuar që të motivojmë lojtarët. Do shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet në fazën e dytë, lojtarët që do të afrohen dhe më pas do të vendosim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!