Qeveria do të rindërtojë godinat e sistemit të drejtësisë.
Në podcast-in e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama tha se ka nisur puna për identifikimin e godinave të cilat kanë nevojë për ndërhyrje emergjente ndërsa ambientet e reja të gjykatave dhe prokurorive do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek cilësia e shërbimeve që do marrin qytetarët.
“Në Shqipërinë 2030 të kemi një infrastrukturë tërësisht të transformuar të godinave të drejtësisë pasi nuk mund të vazhdojmë me arna, nuk mund të vazhdojmë me hapësira gjykatash e prokurorish që janë shumë larg së qeni dinjitoze. Nuk mund të vazhdojmë me ngushtësira që pastaj përkthehen në një përformancë që lë shumë për të dëshiruar”, tha kryeministri Rama.
Këto masa vijnë dy javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit, dhe kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor, për ndërtimin e godinave të reja, të cilat do duhet të pajisen edhe me sistem të plotë të sigurisë. Ndërhyrja e qeverisë thotë Rama erdhi pasi sistemi i drejtësisë nuk arriti të menaxhojë infrastrukturën e godinave.
“Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisja e sistemit të drejtësisë falë pavarësisë së plotë që iu dha me reformën në drejtësi, ndër ato të çalat e veta ka edhe dobësinë e madhe në administrimin e infrastrukturës në projektimin e infrastrukturës. Transformimi i godinave pa projekte të besueshme është mision i pamundur. Përfundimisht kemi vendosur që edhe këtë mision ta marrim përsipër vetë”, shtoi më tej Rama.
Ndër të tjera, Rama u ndal edhe tek aksioni për lirimin e hapësirave publike. Edhe një herë, kryeministri rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të mos toleruar askënd që cenon qytetarët ndërsa thotë se transformimi I qytetareve do të nisë nga Tirana.
“Nuk është një aksion por një operacion që do vazhdojë në çdo pjesë të organizmit urban të kryeqytetit dhe do pastrohet nga këta çibanë të patolerueshëm vendin e të cilëve do e zërë një bashkësi e re. Tirana nuk është Teherani, e kam thënë dhe herë të tjera dhe ne nuk do i mbyllim brenda të gjithë ata që kanë shërbime edhe jashtë derës së njësisë por do i vendosim kufijtë e qartë sepse s’mund ta tolerojmë që të vendosen me pahir”, përfundoi kryeministri./abcnews.al

