Nuk reshtin problemet tek Partizani. Një nga lojtarët kryesorë të skuadrës është pranë largimit pas konfliktit me trajnerin Starova në fazën përgatitore në Turqi.
As klima e Turqisë nuk qenka gjë.
Partizani pësoi një tjetër krizë në minifazën përgatitore, ndërsa njëri prej lojtarëve kryesorë po shkon drejt largimit.
Lorenc Trashi, titullar stabël në formacion thuajse me çdo trajner, mësohet se është përplasur me trajnerin Starova, dhe burime në klub pohojnë se gjithçka është përkeqësuar në ekstrem.
Vetë lojtari ka deklaruar se ka qenë tekniku që e ka ofenduar pas një diskutimi normal, ndërsa Starova ka variantin se lojtari nuk pëlqeu që u zëvendësua që në minutën e 60-të në miqësoren ndaj ekipit gjerman, Berliner AK.
Acarimi mësohet se ka qenë i plotë dhe janë përdorur madje edhe ofendimi, me trajnerin që ka deklaruar se nuk e dëshiron Trashin si pjesë të skuadrës, madje duke mos e lejuar të qendronte as në hotel.
Burimet në klub shtojnë se ka pasur edhe më herët probleme në Antalia, me ankesa nga ana e disa prej lojtarëve për mbledhje e nga disa të tjerë për mosaktivizim sa duhet.
Starova ka biseduar duke i kërkuar të vendosin interesin e klubit mbi atë individual, dhe gjithçka u duk se do të merrte fund aty, por shpejt erdhi konflikti me Trashin.
Partizani nuk po njeh qetësi pasi një ditë para nisjes për në Turqi, tre lojtarë u përjashtuan nga ekipi, Vila, Krasniqi e Malota.
Po ashtu, nuk dihet nëse ka unitet në veprimin e drejtuesve dhe mbetet për t’u parë bashkëpunimi mes Luçiano Moxhit, Olsi Ramës dhe Starovës.
Një sezon I nisur shumë keq me trajnerin Iuliano, që u shkarkua, rrezikon të përfundojë po keq, pavarësisht se Starova u shfaq optimist përpara nisjes për në Antalia./abcnews.al