Pretendimet për spastrim etnik të serbëve në Kosovë, të artikuluara nga ministria e jashtme serbe, janë hedhur poshtë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.
Sipas këtij dikasteri këto janë përpjekje për të shtrembëruar historinë dhe për të hedhur hije mbi të ardhmen e rajonit.
Tirana zyrtare thekson se paqja dhe pajtimi në rajon nuk ndërtohen me retorikë, por me përgjegjësi dhe respekt për të vërtetën historike.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.
Tirana zyrtare kujton edhe raportin e Dic Martit.
Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.
Sipas ministrisë së jashtme të Shqipërisë çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton duke theksuar se vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe.
Edhe gjatë samitit të Brdo Brijunit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ai serb Aleksandër Vucic janë përplasur verbalisht.
Presidenti Serb ka kundërshtuar integritetin territorial të Kosovës ndërsa Presidentja e Kosovës theksoj se Vuçiç pati kundërshtime edhe për marrëveshjen trepalëshe në fushën e mbrojtjes të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë./acnews.al

