Ogerta Manastirliu, kandidate për Bashkinë e Tiranës, ka folur për herë të parë publikisht mbi sfidën dhe përgjegjësinë e këtij angazhimi në podcast-in “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.
Manastirliu e cilësoi kandidaturën e saj si një thirrje në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Tiranës, duke e përshkruar këtë detyrë si një mision historik.
Ajo theksoi rëndësinë e punës në skuadër dhe vizionin për një Tiranë më të jetueshme, më moderne dhe më të afërt me qytetarët, duke shprehur mirënjohje për besimin që i është dhënë nga Kryeministri dhe ekipi qeverisës.
“E para, Kryeministër, mua nuk më është dhënë rasti t’ju shpreh mirënjohjen për besimin. E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe, një sfidë të përbashkët në atë që secili prej nesh, si qytetar, duhet të bëjë për vendin e vet dhe të japë për vendin e vet. Tirana është qyteti i 1 milion banorëve. Tirana është rritur; Tirana është sa sfida jonë, aq edhe krenaria jonë. Pikërisht se ky qytet na bën krenarë, na ka bërë krenarë, do na bëjë krenarë, mendoj se ia vlen çdo sakrificë për ta marrë përsipër.
Dhe përgjegjësia që mua më është ngarkuar për ta çuar përpara transformimin e Tiranës, për ta modernizuar është një përgjegjësi që e mbaj mbi supe jo vetëm. E mbaj me ju, me ekipin e qeverisë, sepse është një gjë që të duash që je vetëm në betejë, por është diçka tjetër të jesh në një ekip që transformon Shqipërinë dhe e çon në Bashkimin Europian. Sigurisht, unë jam thirrur në detyrë dhe kjo është një thirrje në detyrë për një mision historik; dhe nuk e shoh këtë detyrë thjesht si të radhës e shoh si një përgjegjësi te e cila varet e ardhmja e qytetit, që nga përditshmëria e njerëzve: si ta bësh qytetin më të jetueshëm, si ta bësh qytetin më të gëzueshëm, si mund të ndërtojnë familjet kujtime. Dhe besoj se ajo që më bën ta dua punën time të gjitha punët është, besoj, një prej pikave të mia të dobëta, mund ta konsiderosh: që unë “dashurohem” me punën që bëj, pavarësisht çfarë detyre mbaj; pra, futem e tëra dhe përfshihem në punë.
Ua kam thënë dhe juve: për mua nuk ka rëndësi as pozicioni, as karrigia; nuk ka rëndësi fare ku jam në skuadër. Për mua ka rëndësi kontributi dhe ka rëndësi që secili, në njësinë e kohës që i është dhënë për të kontribuar, të bëjë më të mirën e vet, të japë më të mirën nga vetja. Skuadra ka rëndësi; suksesi është i skuadrës, nuk mund të jetë i njeriut. Patjetër, në një detyrë të caktuar ka dikush që udhëheq; është si një skuadër në sport dhe unë nga sporti fillova të kuptoj edhe më shumë në detyrën që bëja: është fiks si në sport; ka kush mbron, ka kush sulmon, ka kush bën strategjinë, dhe secili duhet të jetë në pozicionin e vet për të bërë atë që i është dhënë për të bërë. Historia ime s’e kisha menduar asnjëherë, tani që i rikthehem nuk është një histori e parashkruar; është një histori besimi, patjetër nga ju që më keni njohur përmes punës, nga njerëzit me të cilët kam punuar në shumë sektorë, dhe mbi të gjitha nga qytetarët e Tiranës”, tha Manastirliu.

