Edmond Dosti, ish-sulmuesi i Partizanit, kampion në vitin 1993, ngulmon që në krye të ekipit të kuq të vihet një që e njeh skuadrën. Për të rikthimi i Skënder Gegës do të ishte lëvizja perfekte. Gjithsesi Dosti e di që kjo nuk është e mundur dhe sheh emërimin e Dritan Mehmeti si të duhurën për Partizanin.
“Partizani ka një grup të denjë për të dalë kampion, falë edhe kontributit të mëparshëm të Geges. Problemi ka qenë për mua gjithmonë trajneri, gjë që e kam thënë edhe më parë. Ky trajner nuk ishte i denjë për Partizanin! Erdhi për të dhënë një frymë të re në stilin dhe lojën e Partizanit, por siç u pa asnjëra nga këto gjëra nuk ndodhi! Bravo president, që reagove për shkarkimin e trajnerit.
Ai po shkatërronte atë që ju ndërtuat më shumë mundim. Shkarkimi i tij duhej të ndodhte shumë kohë më përpara, por më mirë vonë se sa kurrë! Po të rikthehej Gega, do të ishte shumë mirë për ekipin e Partizanit, duke ju dhënë atyre një motiv pozitiv për të fituar kampionatin. Këtë pikë e shoh të vështirë, prandaj i sugjeroj klubit Tan Mehmetin, sepse edhe ai e njeh shumë mirë nga brenda ekipin.
Është një trajner që kërkon çdo herë e më shumë nga ekipi dhe një mundësi për të rikthyer normalitetin. Partizani e ka pothuajse grupin e kompletuar, por për mendimin tim do kthehet shumë shpejt tek lojërat e bukura dhe me rezultate pozitive me ikjen e këtij trajneri. Partizanit i duhen të paktën edhe 3 lojtarë, mbrojtës i djathtë, një organizator dhe një sulmues race, për ta udhëhequr Partizanin drejt fitimit të titullit kampion. PMTP”, shkruan Dosti. /abcnews.al