Intervista zgjati mbi dy orë e gjysmë dhe “ëmbëlsira” u la për në fund. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, ishte I ftuar për gati 160 minuta në studion e televizionit “Informer” të Beogradit, dhe në minutat përmbyllëse shpërtheu edhe për ndeshjen që kombëtarja e tij do të luajë ndaj Shqipërisë në 11 tetor.
Numri 1 i shtetit uron që UEFA të vendosë zyrtarisht që ndeshja të luhet në Leskovac, pasi Federata Serbe kërkoi që të mos vazhdohej në Beograd pas katastrofës ndaj Anglisë, dhe përplasjeve politike në stadium.
Duket se pikërisht thirrjet kundër tij dhe dhuna që pasoi, e kishin prekur ndjeshëm presidentin serb, I cili I kërkoi llogari Federatës.
“Pse nuk luajtëm në Leskovac? Askush nuk më shpjegon dot se përse nuk luajtëm në Leskovac, përveçse që ishin anglezët që e kërkuan. Këtë e kam thënë në momentin që ndodhi. Unë thashë “ju e dini, ju jeni të fortë, ju e dini më mirë”. Ja tani sa mirë që na ndodhi. Po pra, na shkoi shumë mirë. Tani ata thonë se gabuan, dhe thonë se do të luajmë ndaj Shqipërisë në Leskovac. Padyshim që atje do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme. Ndoshta humbasim, ndoshta fitojmë, por padyshim që do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme. Kjo, nëse UEFA e FIFA na lejojnë që të kemi sikur edhe një tifoz në tribuna. Nuk e di pse do të na dënojnë. Besoj për shkak të shkeljeve që bënë tifozët. Nëse do të na lejojnë me tifozë, në Leskovac do të jetë atmosferë e shkëlqyer. Të paktën, do të jenë njerëz që do të jenë vetëm tifozë të Serbisë”.
Duke kujtuar se kishte qenë në stadiumin e Beogradit edhe në 1987 kur Anglia fitoi 4-1 ndaj Jugosllavisë, Vucic, I lejoi vetes edhe këtë përfundim.
“Beogradi kurrë nuk e ka kuptuar se çfarë është ekipi përfaqësues, sepse ata njerëz që vinin në stadium e quanin veten më të rëndësishme se kombëtarja. Ata vinin vetëm për të kritikuar dhe sharë”.
E vërteta është që Vucic e sulmoi Federatën Serbe që kur ajo vendosi në 12 qershor, pas barazimit në Tiranë, që ndaj Anglisë e Shqipërisë të luante në Beograd. Në 11 tetor, kombëtarja jonë ka një ndeshje vendimtare në Serbi, ndërsa synon kualifikimin në Kupën e Botës. Kuqezinjtë janë momentalisht të dytët me 8 pikë në 5 ndeshje, Serbia ka 7 pikë në katër duele./abcnews.al

