Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim zyrtar për tentativë vrasjeje, pas sulmit me Molotov ndaj forcave të sigurisë gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytetin francez. Bomba molotov u hodh në drejtim të një grupi prej rreth 15 xhandarësh dhe efektivësh policie, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për këtë sulm.
Sipas të dhënave të bëra publike nga prokurorët, incidenti ndodhi në zonën Porte de Charenton, në përfundim të marshimit të së shtunës. Nga shpërthimi pranë forcave të rendit, efektivët kanë pësuar lëndime, mes të cilave janë raportuar djegie të shkallës së dytë dhe probleme me dëgjimin.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, e cilësoi ngjarjen si një tentativë të drejtpërdrejtë për vrasjen e punonjësve të policisë, ndërsa prokuroria po heton përgjegjësit për sulmin dhe identifikimin e autorëve.
Paralelisht me hetimin në Paris, autoritetet franceze raportuan 779 arrestime në nivel kombëtar gjatë demonstrative.
Në të gjithë Francën, rreth 320 mijë persona morën pjesë në protesta në qytete si Parisi, Marseja, Lioni, Tuluza dhe Bordoja.
Në Paris, një grup protestuesish të maskuar hodhën gurë drejt forcave të rendit, ndërsa në disa qytete të tjera, përfshirë Bordonë, Tuluzën dhe Marsejën, elementë radikalë tentuan të shkaktonin trazira dhe dëmtime të pronës.
Ministri i Brendshëm deklaroi se protestat në përgjithësi ishin zhvilluar në mënyrë të rregullt, por akuzoi grupe të ekstremit të majtë për sulmet ndaj forcave të sigurisë.
Ndërkohë, autoritetet rikujtuan edhe masat ligjore për personat që fshehin fytyrën gjatë protestave. Mbajtja e maskës në hapësira publike pa një arsye të ligjshme dënohet me 150 euro gjobë, ndërsa fshehja e identitetit gjatë demonstratave që rrezikojnë rendin publik mund të ndëshkohet deri në një vit burg dhe 15 mijë euro gjobë.


