Gazetari Fatos Mahmutaj u shpreh se SHBA ka treguar qartë se do të mbështesë drejtësinë shqiptare.
Në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, tha se pasuesi i Dumanit duhet të ketë prioritet vazhdimësinë e punëve të nisur nga SPAK.
“Amerikanët kanë treguar se janë në mbështetje të SPAK dhe se kërkon vënien para drejtësisë të të korruptuarve. Ndërsa çështjet prioritare të pasuesit të Dumanit duhet të jetë vazhdimësia e punëve të nisur nga SPAK. Pra përshpejtimi i shumë çështjeve që po ecin me hapa të ngadaltë. Kemi rastin e Sali Berishës, apo edhe rastin e ish-presidentit Ilir Meta. Për Metën u desh të hapej dosja në 2017 dhe ky të arrestohej në 2024. E njëjta gjë edhe për Berishën. Pra u deshën rreth 8 vite, dhe SPAK ka ecur me hapa të breshkës. Pra pasardhësi i Dumanit duhet të tregojë vlera, SPAK “duhet të tregojë dhëmbët”. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi”, tha ai.
Më tej gazetari u ndal edhe tek non grata e Berishës duke thënë se non grata e tij “nuk ka rënë” asnjëherë.
Ai u shpreh kritik ndaj kreut të PD Sali Berisha, duke thënë se qëllimi i tij i vetëm është të mbajë peng opozitën shqiptare.
“Berisha ka treguar që nuk ka forcën e duhur për të rrëzuar Ramën. Berisha duket se kohët e fundit po moderohet. Pasi dikur ata që i dilnin kundër i rrihte dhe i vriste, tani po i përjashton. Përvoja ka treguar që kush i ka dalë kundër Berishës, ose është rrahur ose është vrarë. Ndërsa sa i përket pjesës që Berisha do futet në parlament por nuk do njohë zgjedhjet, mund të themi që paradokset e Berishës janë të jashtëzakonshme. Rrogën e do, ndërsa zgjedhjet nuk i njeh…”, tha më tej ai.
/abcnews.al/

