Aventura në Kupat e Europës nuk shkoi ashtu siç kishin ëndërruar, me Vllazninë që u eliminua në raundin e dytë Conference League.
Por te skuadra shkodrane, kjo është një histori që I përket së shkuarës. Të gjitha energjitë janë të përqendruara te sezoni i ri i Kategorisë Superiore, që do të marrë jetë mbrëmjen e së premtes.
Topi i parë i kampionatit do të nisë pikërisht në “Loro Boriçi” ku Vllaznia do të luajë kundër kampionëve në fuqi të Egnatias. Menjëherë një finale, për të besuarit e Edi Martinit, me trajnerin që nuk i fsheh ambiciet e mëdha në këtë sezon.
Në krah të Martinit në konferencën për mediat ishin edhe dy prej lojtarëve më me eksperiencë dhe lider të Vllaznisë si kapiteni Bekim Balaj dhe mbrojtësi Erdenis Gurishta.
Edhe pritshmëritë e tyre për edicionin e ri të futbollit shqiptar ishin në të njëjtën linjë me trajnerin e tyre.
Ndeshja hapëse e edicionit 2025/2026 të Kategorisë Superiore mes Vllaznisë dhe Egnatias është në program në orën 20:00 të së premtes, ndërsa sfidat e tjera të javës së parë të luhen të shtunën dhe të dielën. Vetëm përballja Teuta-Dinamo City është shtyrë për më 5 shtator për shkak të impenjimit të bluve në play off e Conference League.

