Nuk ka fund telenovela verore për të vetmin mandat të koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Pak ditë pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dha mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli, Adriatik Lapaj është ankuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve duke kërkuar që në karrigen e deputetit në shtator të ulet ai, si më i votuari i listës së hapur.
Në shkresën drejtuar KAS, partia e Lapajt kërkon që të njihen dorëheqjet e kandidatëve të listës së mbyllur në mënyrë që më pas të kalohet tek garuesit e listave preferenciale,Adriatik Lapaj renditet i pari me mbi 6000 vota. Po ashtu, kërkohet që të mos pranohet as revokimi nga dorëheqja për Kleana Xhuvelin dhe Zeqir Kordhonin. Pikërisht nga kërkesa e këtij të fundit për tu bërë deputet nisi edhe përcarja mes Lapajt dhe Shabanit. Dhe për të mos ja lene mandatin dajës së Shabanit, Kleana Xhuveli, kushërira e Lapajt revokoi dorëheqjen duke marrë mandatin e deputetes.
Me vendimin e 23 korrikut, Ilirjan Celibashi, jo vetëm që i la të dy jashtë kuvendit por i rrëzoi Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit edhe skemën që përdorën për të shmangur listat e mbyllura edhe si një simbolikë për një politike ndryshe ajo e të vjetërve. Por mesa duket, kanë më shumë të përbashkëta, përfshirë edhe luftën për një karrige./abcnews.al

