Birçe: Kemi një përvojë të hidhur me Bylisin, por i kemi marrë masat

schedule17:04 - 13 Dhjetor, 2019

schedule 17:04 - 13 Dhjetor, 2019

Flamurtari pret Bylisin nesër në shtëpi dhe kërkon të marrë tre pikët. Situata te vlonjatët është mjaft e vështirë, pasi renditen në vendin e fundit në klasifikim. Trajneri Luan Birçe, në daljen e sotme për mediat ka shpallur edhe objektivin për tre ndeshjet e mbetura të këtij viti.

“Padyshim për ne çdo ndeshje është e vështirë. Në situatën që jemi çdo ndeshje merr vlerësimin maksimal nga ana jonë, që të marrim pikët e plota. Në pozicionin që jemi na duhet fitorja. Në këto tre ndeshje, që do të zhvillohen brenda një jave, kemi si qëllim të marrim pesë pikë. Kjo do na japë mundësinë të për të shpresuar në qëndrimin tonë në Superiore”, tha fillimisht Birçe.

Më pas ai flet edhe për Bylisin, kundërshtarin e radhës: “Kundërshtari është i fortë, synojnë vendet e para. Ata në Vlorë vijnë të marrim tre pikët. Kanë treguar se dinë të  fitojnë edhe jashtë fushe. Kemi një përvojë të hidhur me ta, që u mundëm thellë. Kemi punuar të jemi më të kujdesshëm këtë herë dhe të fitojmë”.

Vlonjatët nuk është se kanë zhvilluar ndeshje të këqija, por mungesa e golit i ka penalizuar. “Na duhet të kemi fatin me vete, pasi kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi pasur raste. Nuk ia kemi dalë të shënojmë dhe kjo na ka penalizuar. Do kërkojmë të jemi të qetë para porte. Ndoshta një trepikësh do rriste anën psikologjike dhe morale të ekipit”, shton Birçe.

Në fund ai flet edhe për situatën në ekip: “Ribaj mungon për arsye kartonësh. Kemi edhe mungesat të lojtarëve të larguar. Nuk është një ndryshim i madh për ne. U jepet mundësia lojtarë të tjerëve, që kanë përvojë në kampionat, të luajnë dhe të përfaqësojnë sa më mirë veten e tyre dhe ekipin”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!