Gjithçka nisi nga intervista e Edi Ramës në gazetën britanike “The Guardian”. Aty kryeministri shqiptar cilësoi Britaninë si një vend që po jetonte një moment të errët sa i përket raporteve me emigrantët. Por kjo temë është jo vetëm politike por dhe shume elektorale në Britaninë e Madhe.
Jo me kot dy kryeministra, konservatore dhe laburiste i kanë kërkuar kryeministrit shqiptar një marrëveshje të ngjashme me Italinë për riatdhesim emigrantësh të paligjshëm. Por tani kandidati i tretë për kryeministër, i partisë reforma, një formacion ekstremit të djathtë, ka zgjedhur me Edi Ramën, gjuhen e përplasjes.
“Po të them një gjë, z. Rama, a e dije që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Ndaj tregohu i mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi”, ka thënë Nigel Farage.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kësaj deklarate të deputetit britanik Nigel Farage, duke i cilësuar absurde dhe të denja për karburant tabloidesh, shifrat e dhëna nga reformatori i Brexit për shqiptarët në Britani.
Një klasik nga manuali post Brexit, thotë shefi i qeverisë, që “nëse tingëllon frikshëm duhet të jetë e vërtetë.”
“Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët”, ka thënë Rama në reagimin e tij.
Rama sfidon deputetin britanik për një përballje shifrash me zotimin se nëse rezulton e vërtetë që 1 në 50 shqiptarë në Britaninë e Madhe është i burgosur, ai do ti kthejë ato në Shqipëri.
“Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikisht”, shprehet Rama.
E në rast se jo, Farage, do të jetë i ftuari i tij i nderit në Shqipëri. Dhe këtu ka vetëm një kërkesë.
“Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet”, thotë më tej kryeministri Rama.
Po ashtu, Rama argumentoi se Brexit ka ndryshuar në mënyrë themelore diskursin publik britanik.
/abcnews.al/

