Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e Rovena Gashit

schedule17:30 - 16 Janar, 2018

schedule 17:30 - 16 Janar, 2018

Gjykata Administrative Tiranë refuzoi kërkesën e Rovena Gashit për të pezulluar ekzekutimin e urdhrit të kryeprokurores Arta Marku, që e liroi nga pozicioni i Drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe drejtueses së “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme. Avokati i Gashit pretendoi se ky urdhër do të penalizojë klienten e tij gjatë procesit të vetingut.

Prokurorja Rovena Gashi humbi betejën e parë në përballjen e saj gjyqësore me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Gjykata Administrative rrëzoi të martën kërkesën e Gashit për pezullimin e ekzekutimit urdhrit për lirimin e saj nga detyra e Drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe atë të drejtueses së Njësisë së Dekriminalizimit. Në seancë, përfaqësuesi ligjor i Gashit, avokati Çlirim Gjata, e cilësoi të paligjshëm urdhrin e kryeprokurores Marku. Avokati argumentoi paligjshmërinë me mungesën e kompetencës nga ana e kryeprokurores dhe mungesën e një motivacioni.

Duke kujtuar se Gashi po i nënshtrohet Vetingut, Gjata tha se kjo situatë mund ta penalizojë atë në këtë proces. Ai kërkoi pezullimin e urdhrit derisa gjykata të shprehej me një vendim të formës së prerë për padinë e bërë nga Gashi për shfuqizimin e tij. Nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e Prokurorisë së Përgjithshme, Pranvera Gruda, tha se urdhri për lirim nuk shkakton ndonjë dëm tek paditësja, pasi Gashi vijon të ushtrojë funksionin e prokurores. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, gjyqtari Erarbër Madhi vendosi të mos pranojë kërkesën e Gashit. Ai argumentoi se nuk provohet rreziku i një dëmi të mundshëm ndaj saj. Jashtë sallës së gjyqit, avokati Gjata ritheksoi pasojat e urdhrit të Markut dhe tha se do t’i drejtohet Apelit Administrativ.

Çlirim Gjata: “Ky urdhër në vetvete sjell një dëm të madh të pariparueshëm sepse prokurorja në fjalë, si gjithë prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe personalitetet e drejtësisë, aktualisht janë në Veting dhe ajo ka komunikimin me organet e Vetingut që është në proces kontrolli. Dhe imagjinoni tani, ajo është në proces kontrolli për gjithë punën e jetës së saj. Një kontrolli dhe çfarë kontrolli biles e tani del një urdhër lirimi nga detyra. Kjo vlen si një dëm i madh i pariparueshëm sepse do të ndikojë në organet e Vetingut dhe do të ndiojë jashtëzakonisht shumë. Proceduralisht do do ankojmë këtë vendim, Brenda pesë ditëve që është dhe afati ligjor”.

Urdhri për lirimin nga pozicioni drejtues i Rovena Gashit u firmos nga kryeprokurorja Marku në 29 dhjetor 2017./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!