FSHF kthjellohet për Brojën, Lerda duhet të mendojë planin B

schedule15:10 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 15:10 - 9 Dhjetor, 2019

FSHF ka reaguar në kohë dhe ka njoftuar klubin e Partizanit, që në ndeshjen e së premtes me Tiranën nuk mund të aktivizojë mesfushorin Rron Broja. ABC News ishte interesuar në FSHF më parë dhe përgjigja ishte se lojtari i “demave” kishte vetëm dy kartonë të verdhë para ndeshjes me Bylisin.

Sigurisht zyrtarët e FSHF i referoheshin të dhënave të hedhura nga arbitrat në sistem dhe një i verdhë në derbin e parë në “Selman Stërmasi” nuk figuronte. Pa të Broja mund të luante të premten, por tashmë në FSHF janë kthjelluar dhe 23-vjeçari do të duhet ta ndjekë derbin nga tribuna.

Hije skandali në Superiore, FSHF “harron” të pezullojë Brojën

Momenti i ndëshkimit të Brojës në derbi

DILEMA E LERDËS – Mungesat në sfidën me Tiranën janë disa dhe të gjitha në mesfushë. Broja ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, kurse Telushi u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Bylisin. E paqartë situata edhe me Esat Malën, i cili stërvitet veçmas për shkak të vendimit të klubit.

Trajneri Franco Lerda duhet të vendosë se kush do të luajë në qendër të mesfushës. Një opsion është edhe rikthimi i mbrojtjes me tre dhe me modulin 3-4-3 zgjidhja më e mirë do të ishte aktivizimi i Romero, me brazilian Cordeiro në qendër, kurse nga krahët të zakonshmit Idrizaj-Trashi.

Alternativa të tjera për qendrën e mesfushës janë edhe Kristi Kote e Eneid Kodra, ose edhe Amir Bilali. Ky i fundit është në pritje të debutimit me Partizanin në Superiore.  Lerda gjithashtu ka edhe një opsion tjetër, pa ndryshuar modulin e lojës.

Hakaj mund të luajë në të majtë të mbrojtjes dhe Trashi të rikthehet të luajë në treshen e qendrës së mesfushës, sikurse ka bërë më parë. Alternativat nuk mungojnë dhe italiani do të vendosë gjatë këtyre ditëve në stërvitje se si do ta rreshtojë skuadrën e tij në derbi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!