Thaçi e Haradinaj dënojnë vrasjen e Ivanoviç: Serbia mos ta përdorë

schedule11:55 - 16 Janar, 2018

schedule 11:55 - 16 Janar, 2018

Hashim Thaçi, kreu i shtetit të Kosovës  dhe kryeministri Haradinaj dënuan ashpër vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por Haradinaj ka kërkuar që Serbia të mos përdorë ngjarjen për të bllokuar bisedimet mes dy vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç. Në një postim në profilin e tij në Facebook ai dënoi ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” në veri të vendit. Thaçi i bëri apel forcave të policisë që të vendosin para drejtësisë autorët e krimit. Kreu i shtetit kosovar kërkoi dhe bashkëpunimin e qytetarëve në veri të Mitrovicës për të ndihmuar në hetime.

Dhe kryeministri i Kosovës Haradinaj reagoi duke dënuar vrasjen e Ivanoviçit dhe premtoi se autoritetet kosovare do të bëjnë çdo gjë për zbardhjen e vrasjes. Por Harainaj theksoi se është e palogjikshme që Serbia të bllokojë dialogun mes dy vendeve dhe vrasja e sotme të përdoret për politika ditore.

Sipas kryeministrit, shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!