Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë mesazhe për bashkim, dialog dhe respektim të vlerave demokratike gjatë ceremonisë së organizuar në Presidencë me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit u ndal edhe te protestat e zhvilluara nga qytetarët, duke theksuar se protesta është një e drejtë kushtetuese, por dhuna dhe shkatërrimi nuk mund të jenë alternativë. Begaj nënvizoi se dialogu mbetet rruga për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen e unitetit rreth vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe orientimit euroatlantik të vendit.
“Sot po rritet një brez që kërkon më shumë mundësi dhe përfshirje. Kemi parë të rinj dhe qytetarë që protestojnë, edhe sot, në ditën e shenjtë të flamurit dhe të bashkimit. Protesta është e drejtë kushtetuese, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja, as alternativa.
Dialogu është zgjidhja. Demokracia nuk kërkon të mendojmë të gjithë njësoj. Ajo kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati. Ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Mbetemi të bashkuar në vlera, për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për orientimin tonë euroatlantik”, tha presidenti Begaj.


