Hije skandali në Superiore, FSHF “harron” të pezullojë Brojën

schedule09:21 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 09:21 - 9 Dhjetor, 2019

Futbolli shqiptar do duhen vite të pastrohet. Vetë mënyra se si funksionojnë klubet, mënyra se si shteti e sheh atë, mënyra se si organizohet gara, lë shtigje të pafundme për të gjetur probleme. Gjithsesi  nuk mundet që në vitin 2019, kur presidenti i UEFA-s vjen dhe inauguron një stadium ku pretendojmë të organizojmë një finale Superkupe Europe, të gabohet edhe ne numërimin apo hedhjen në sistem të të dhënave të ndeshje në mënyrë të saktë.

Paqartësitë janë të mëdha shpesh në lidhje me kartonët e verdhë dhe nuk është çudi që ndonjë të fshihet edhe me qëllim. Nuk aludojmë për rastin që po trajtojmë dhe që lidhet me futbollistin Ron Broja, i ndëshkuar në ndeshjen me Bylisin me karton të verdhë. Nga informacionet e marra në FSHF, thuhet se mesfushori para asaj ndeshjeje kishte dy kartonë të verdhë.

Të dhënat e Brojës në faqen zyrtare në FSHF

Nëse bën një kërkim të thjeshtë në faqen ueb të Federatës Shqiptare të Futbollit, vë re se figurojnë edhe kartonët e verdhë të ndeshjeve kundër Vllaznisë dhe Kukësit. Me llogaritë e bëra në FSHF, mesfushori mund të luajë në derbi me Tiranën. Gjithsesi llogaritë, ose më saktë të dhënat në sistemin “Commeta” nuk janë hedhur reale, pasi Broja është ndëshkuar me karton të verdhë edhe në derbin e parë.

Nga pamjet filmike shikohet qartë që arbitri i asaj ndeshjeje, Kridens Meta, e ndëshkon me karton të verdhë mesfushorin e Partizanit për ndërhyrjen që i bën argjentinasit Agustin Torassa. FSHF zakonisht i hedh “live” të dhënat e ndeshjeve dhe delegati Lysien Nyrishmi e ka parë dhe e ka shënuar kartonin e Brojës, por arbitri nuk e ka hedhur në sistem dhe kështu mesfushori numëron një karton më pak “me letra”.

Kartoni i verdhë i Brojës, i hedhur nga delegati i ndeshjes “live”

Kjo tregon se raste të tilla mund të përsëriten dhe në ndonjë ndeshje të luajë edhe ndonjë i pezulluar, çka do të thotë shtrembërim i pastër i garës. Në të shkuarën ka ndodhur që Renato Arapi të luante për Skënderbeun, edhe pse e kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe i ishin faktuar me pamje filmike. Mbetet të shihet nëse do të përsëritet e njëjta histori. Fakt është që Broja ka katër të verdhë dhe nuk duhet të aktivizohet në derbi. Por sa raste “Broja” mund të ketë gjatë garës? Ky është problemi më i madh… /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!