Franco Lerda, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes me Bylisin, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Bëmë një pjesë të parë të mirë. Pësuam nga një devijim i Belicës. Patëm raste me Çinarin dhe Brojën, si dhe me Asanin që për mua nuk ishte pozicion jashtë loje. Gabuam në disa topa në pjesën e dytë dhe kjo i dha kurajo Bylisit. U munduam të rikuperojmë pas golit të pësuar, por nuk ia dolëm. Në fund humbëm”.
“Nuk ka asnjë dramë. Edhe kur ishim me një lojtar më pak u munduam të shënojmë dhe iu afruam me Bardhin në fund. Ishte vetëm një humbje aksidentale. Nuk ishim kampion përpara, ashtu sikuse edhe tani nuk jemi. Terreni ishte rënduar. Do analizojmë gjithçka dhe do të shohim përpara”.
“Pësuam gol në gjuajtjen e parë të Bylisit. Krijuam raste në një terren jo të mirë. Pengu më i madh është që nuk shkuam në epërsi në fundin e pjesës së parë. Gabuam në 15 minutat e para të pjesës së dytë, kur Bylisi mori kurajo dhe e fitoi ndeshjen”.
“Është e qartë që terreni dhe ambienti jashtë ndikon, por nuk ka alibi. Ishim përgatitur për këtë ndeshje psikologjikisht dhe fizikisht. Si shkuan gjërat, kush gabon më pak fiton. Ne bëmë më shumë dhe humbëm”.
“Topat e dytë? Pati pak hapësira, që mund t’i mbyllnim më mirë dhe të evitonim disa situata të rrezikshme. Golat e pësuar? Do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë në javët në vazhdim. Para kësaj ndeshjeje ishim mbrojtja më e mirë, ose e dyta. Sa i takon sulmit, do bëjmë atë që bëjmë në stërvitje. Vetëm kështu përmirësohemi”. /abcnews.al